Von Cramon kërkon të sanksionohen personat që u përfshin në sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar sërish lidhur me sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku së fundi u publikuan edhe pamjet ku shfaqin nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq në mesin e terroristëve.

Von Cramon thotë se duhet filluar sanksionimi i tyre, siç është ngrirja e llogarive bankare, transmeton Telegrafi.

“Kur më në fund do të filloni t’i sanksiononi këta djem këtu? Ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe pengimi i tyre (ka edhe disa kriminelë të tjerë), që udhëtojnë në vendet e BE-së? Ky do të ishte të paktën një fillim siç bëri SHBA-ja disa kohë më parë”, thekson ajo në postimin e bërë në “X”.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar sot pamje të reja nga sulmi i terroristëve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Në pamjet e publikuara nga Sveçla shihet edhe Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe.

“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, deklaroi ministri sot.

Sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës ndodhën më 24 shtator.

/Telegrafi/

Read Previous

Armand Duka zgjidhet zëvendëspresident i UEFA-s

Read Next

Pikëpamja e “Guardian”-it për të ardhmen e Kosovës: Evropa duhet të bëjë më shumë