Numri i emigrantëve që kalojnë Mesdheun Qendror për në Bashkimin Evropian është “më shumë se dyfishuar” në vitin 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha të premten agjencia evropiane Frontex.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.
Në pesë muajt e parë të vitit 2023, vendet e BE-së regjistruan më shumë se 50 mijë e 300 hyrje të parregullta përmes kësaj rruge, “numri më i lartë i regjistruar që nga viti 2017”, tha agjencia në një deklaratë.
“Mesdheu qendror mbetet rruga kryesore e migracionit për në Bashkimin Evropian” dhe kjo rrugë, me më shumë se 50 mijë e 300 hyrje, “përbënte pothuajse gjysmën e mbërritjeve të paligjshme në vitin 2023”, shtoi Frontex.
Në total, numri i mbërritjeve të raportuara në Frontex midis janarit dhe fundit të majit ishte 102 mijë, 12 për qind më shumë se për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rruga e dytë më aktive është ajo e Ballkanit Perëndimor, me më shumë se 30 mijë e 700 hyrje – ende 25 për qind më pak se një vit më parë.
Të gjitha linjat e tjera, përveç itinerarit të Mesdheut Qendror, gjithashtu shënuan rënie, duke filluar nga minus 6 për qind për Mesdheun Perëndimor në -47 për qind për itinerarin e Afrikës Perëndimore.
Këto rënie janë kryesisht për shkak të “periudhës së gjatë të motit të keq, që i bënte udhëtimet gjithmonë edhe më të rrezikshme”.
Por presioni migrator mbetet i lartë dhe “mund të presim një rigjallërim të aktivitetit të kontrabandistëve në muajt e ardhshëm”, përfundoi agjencia. /Albanianpost.com