Gjatë vitit 2022 numri i aksidenteve në Kosovë ka shënuar rënie në 2,26 për qind. Kështu ka bërë të ditur Jeton Rexhepi, shef i Divizionit për Komunikacionin Rrugor në Policinë e Kosovës.
“Numri i aksidenteve me dëme materiale ka shënuar rënie në 4.24 për qind. Aksidentet me fatalitet kanë shënuar rënie në 4 për qind, ndërsa edhe numri i personave të vdekur është në rënie”, ka thënë Rexhepi, teksa ka shtuar se këto të dhëna përfshijnë të gjitha territorin e Kosovës.
Ai ka potencuar se shkaktari dhe faktori njeri merr një përqindje të lartë të përfshirjes në aksidente të trafikut rrugor.
“Në të gjithë muajt e vitit Policia e Kosovës të gjitha problemet e infrastrukturës i realizon me anë të dy apo më shumë metodave. E para, është rikujtimi për rreziqet – kemi treguar se si duhet të përgatitet një mjet për të dalë në rrugë, si duhet vepruar kur ka akull, ngrica”, ka thënë tutje Rexhepi,
Ai ka shtuar se i kanë pajisjet e quajtura “vetura inteligjente”, të cilat janë në fazën e parë të implementimit.
“Ne vlerësojmë që dhe kjo pajisje ka ndihmuar Policinë e Kosovës. Është me rëndësi që pajisje të tilla lehtësojnë punën e Policisë, por në të njëjtën kohë dëshmojnë punën që e bën Policia e Kosovës”, ka theksuar Rexhepi.
Shefi i Divizionit për Komunikacionin Rrugor në Policinë e Kosovës ka potencuar se kapacitet e Policisë së Trafikut janë të mjaftueshme, por sipas tij do të ishte e dëshirueshme që edhe aspekti tjetër të ndikojë që siguria rrugore të jetë më e madhe.
Rexhepi në fund ka bërë të ditur se janë 106 persona që kanë vdekur në aksidente gjatë vitit të kaluar.
/RTVDukagjini/