Eurodeputeti kroat, Picula: Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, çështje urgjente

Eurodeputeti kroat Tonino Picula, në një shkrim të tij në The Parliament Magazine, ka shkruar se në dritën e mos marrëveshjes së vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht kohët e fundit ndërhyrja diplomatike nga Bashkimi Evropian padyshim është e nevojshme.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet këtyre vendeve është një çështje urgjente dhe e nevojshme për të garantuar stabilitetin në fqinjësinë e afërt të BE-së”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se stabiliteti, siguria dhe qëndrueshmëria demokratike e vendeve të anëtarësimit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me forcën dhe kohezionin e vetë BE-së.

“Siç thuhet në rekomandimin për strategjinë e re të BE-së për zgjerimin, është e domosdoshme që të shtojmë angazhimin konstruktiv të BE-së me autoritetet e Serbisë dhe Kosovës për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të bazuar në njohjen reciproke ndërmjet të dyjave në kornizën e dialogut Prishtinë-Beograd.

Prandaj, ai shton se kjo është thelbësore që të dyja vendet të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe do të kontribuojë në stabilitetin rajonal, prosperitetin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne duhet t’i adresojmë të gjitha çështjet e pazgjidhura përmes dialogut Prishtinë-Beograd me shpejtësi dhe mirëbesim”.

Sipas Piculës, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke përfshirë sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migracionit, rendin dhe sigurinë publike, dhe të drejtat themelore që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes.

“Duhet të shtojmë përpjekjet drejt marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, përveç bashkëpunimit gjithëpërfshirës dhe efektiv socio-ekonomik në nivel rajonal dhe solidaritetit në vendet e anëtarësimit në BE”. /Albanianpost.com

Read Previous

Viti 2023 pritet të jetë një nga vitet më të nxehta në botë

Read Next

Gjermania ka ngrirë më shumë se pesë miliardë euro asete ruse