Milan po përgatit ofertën zyrtare për Armando Brojën

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja, mund të përfundojë në Serie A te skuadra e Milan-it. Sipas gazetës torineze “Tuttosport”, kuqezinjtë kanë gati ofertën prej 35 milionë eurosh për lojtarin e Chelsea-t.

Raporti tregon se Broja është profili i duhur i lojtarit që përshtatet me projektin e Milan-it, ndaj dhe klubi italian insiston në nënshkrimin e tij.

Ai fillimisht luajti në huazim në Holandë, te Vitesse, ku filloi të bënte emër. Vitin e kaluar, ai luajti rregullisht në Premier League ku ishte te Southampton i huazuar nga Blutë dhe shënoi nëntë gola në 38 ndeshje dhe kështu fitoi besimin e tyre për sezonin aktual.

Megjithatë, Broja po gjen pak hapësira këtë vit me 18 paraqitje, por vetëm tre si titullar, duke shënuar një gol kundër Wolverhampton.

Në fakt, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi së fundmi se “Ishte më mirë kur ishte në Southampton dhe luante gjithmonë titullar. Tani luan 15-20 minuta çdo ndeshje dhe nuk është njësoj”.

Milan-i sigurisht që mund t’i ofrojë atij një rol më qendror brenda projektit. Kontrata e Brojes me Chelsea perfundon ne veren e 2025. Ai vlerësohet 35 milionë euro, por mund të mbërrijë fillimisht në huazim.

Një tjetër rrugë që mund ta çojë Brojën drejt Milan-it është dhe Rafael Leao. Portugezi nuk po rinovon ende me kuqezinjtë, teksa Chelsea synon transferimin e tij.

Nuk përjashtohet mundësia që nëse Leao kalon në “Stamford Bridge”, kartoni i Brojës t’i ofrohet Milan-it për të ulur sado pak shumën prej 150 milionë eurosh që ata vlerësojnë ish-lojtarin e Lille-s. /Albanianpost.com

Read Previous

Katari angazhon tifozë nga Pakistani që t’i mbushin stadiumet në Kupën e Botës

Read Next

Gianni Infantino fiton edhe një mandat si president i FIFA-s