Hill: SHBA dhe BE janë dakord se zhvillimet e fundit në Veri rrezikojnë përparimin në dialog

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ngjarjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë i konsideron si të rrezikshme për progresin në dialogun mes këtyre dy vendeve.

Ai përmes një përgjigje për mediumin serb “N1”, tha se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve.

“Nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”.

“Për këtë arsye, SHBA i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, tha ai.

Ai ka përsëritur thirrjen e Bashkimit Evropian që të zgjatet afatin për konvertimin e targave.

“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së duke u bërë thirrje autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo do të thotë zgjatje e menjëhershme e procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullim i çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa çështja e targave të zgjidhet nga palët në kuadër të dialogut”.

Duke shtuar se kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”.

“I bëjmë thirrje palëve që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat. Të dyja palët duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, përfundoi ambasadori Hill. /Albanianpost.com

Read Previous

Mbajti të ngujuar për gjashtë vite gruan dhe fëmijët, zbardhet dëshmia e radikalistit të arrestuar në Tiranë

Read Next

Komisioni për Ekonomi miraton masat e përkohshme për produktet bazë