Aplikacioni i takimeve online, Tinder, i kompanisë Match Group, tejkaloi vlerësimet e të ardhurave për tremujorin e fundit, pasi më shumë përdorues morën abonime me pagesë.
Match Group, përveç Tinder-it, zotëron edhe aplikacione të tjera duke përfshirë Hinge dhe OKCupid.
Kompania publikoi të martën e 1 nëntorit të ardhurat dhe rezulton se aksionet e tyre u rritën me 16 për qind.
Rezultatet janë një lajm i mirë për Tinder-in, i cili ka pasur probleme këtë vit për shkak të ndryshimeve ekzekutive.
Në gusht, shefi ekzekutiv, Renate Nyborg-i, dha dorëheqjen pas një viti në detyrë.
Inflacioni dhe shqetësimet për koston e jetesës kanë shkaktuar gjithashtu presion mbi shpenzimet në aplikacione.
Pavarësisht kësaj, të ardhurat e kompanisë arritën në 810 milionë dollarë për tre muaj deri më 30 shtator.
Sipas të dhënave të analistëve të “Refinitiv”, ofrues e të dhënave dhe infrastrukturës së tregjeve financiare, vlerësimi mesatar arriti rreth 793 milionë dollarë.
Megjithatë, kompania parashikoi rritje të qëndrueshme të të ardhurave për Tinder-in në tremujorin e ardhshëm.
Shefi ekzekutiv, Bernard Kim, dhe shefi i financave, Gary Swidler, paralajmëruan se një dobësim i ekonomisë globale po godet kompanitë e Match-it, të cilat u shërbejnë konsumatorëve me të ardhura më të ulëta.
Numri i përdoruesve që paguanin për të përdorur Tinder-in u rrit me shtatë për qind dhe të ardhurat u rritën me gjashtë për qind, të ndihmuar nga rikthimi i një risie që i lejon personat të përdorin aplikacionin në kompjuterët e tyre.
Tinder-i ofron tre nivele të shërbimit të tij të abonimit me pagesë, të cilat u japin përdoruesve veçori të tilla si pëlqime të pakufizuara dhe në disa nivele, i lejojnë përdoruesit të shohin se kush i ka “pëlqyer” ata.
Match-i po planifikon të bëjë reduktime në lidhje me shpenzimet e marketingut dhe numrin e punonjësve.
Kompania gjithashtu shtoi se ata janë në kërkim të një Kryeshefi Ekzekutiv (CEO), një pozicion që është vakant. /Albanianpost.com