Bashkimi Evropian ka ngrirë më shumë se 17 miliardë euro (16,9 miliardë dollarë) asete ruse gjatë paketave të sanksioneve kundër Rusisë, sipas komisionerit të drejtësisë të BE-së, Didier Reynders.
”Deri tani, pasuritë e 90 personave janë ngrirë, mbi 17 miliardë euro në shtatë shtete anëtare, përfshirë 2,2 miliardë euro në Gjermani”, tha ai për grupin mediatik të gazetave ”Funke”.
BE-ja ka miratuar tetë paketa sanksionesh që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës tetë muaj më parë.
Në veçanti, politikanët ukrainas kanë kërkuar vazhdimisht që asetet e ngrira të përdoren për të rindërtuar vendin pas luftës.
Për këtë, Reynders tha se “nëse BE-ja kap para nga bizneset kriminale, është e mundur t’i kanalizojë ato në një fond kompensimi për Ukrainën. Megjithatë, shuma nuk është aq e mjaftueshme për të financuar rindërtimin”.
”Si pjesë e sanksioneve perëndimore, 300 miliardë euro nga rezervat valutore të Bankës Qendrore Ruse janë ngrirë gjithashtu”, tha ai.
”Nga këndvështrimi im, është të paktën e mundur të mbahen këto 300 miliardë euro si garanci derisa Rusia të marrë pjesë vullnetarisht në rindërtimin e Ukrainës”, tha Reynders. /DPA/KP/