Në orët e vona të mëngjesit u krye një operacion në muskujt e shpinës për Pablo Mari, futbollistin spanjoll të Monza, i cili të enjten u godit me thikë bashkë me disa persona të tjerë brenda një supermarketi në Milano nga një person me probleme mendore.
Operacioni i tij ka përfunduar me sukses, ku do të qëndrojë në shtrat për monitorim rreth 2-3 ditë. Pablo Mari nuk do të jetë në fushën e blertë për të paktën 2 muaj.
I huazuari nga Arsenali ishte në mesin e pesë personave të plagosur në një sulm me thikë në qendrën tregtare Milanofiori di Assago në periferi të Milanos.
Ai u dërgua në spital me një prerje të thellë në shpinë.
“Isha me fat sepse pashë një person të vdiste para meje”, ka thënë fillimisht Mari për Gazzetta dello Sport.
Mari po blinte sende ushqimore me gruan dhe fëmijën e tij kur ndodhi incidenti.
“Po shtyja karrocën me fëmijën tim në ndenjëse. Ndjeva dhimbje të jashtëzakonshme në shpinë dhe më pas ai njeri goditi me thikë në fyt një djalë tjetër”, përfundoi spanjolli.
Pesë persona të tjerë u plagosën dhe dy janë në gjendje kritike për jetën. Njëri, një arkëtar 30-vjeçar, mbeti i vdekur pas sulmit.
Massimo Tarantino, një ish-mbrojtës i Serie A për Napolin, Interin dhe Bolognan, neutralizoi sulmuesin, një 46-vjeçar italian me probleme të shëndetit mendor. /Telegrafi/