Taravari: Maqedonia e Veriut mund të ngecë, do jemi një shtet ku s’do ketë as shqiptarë, as maqedonas

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, duke folur për ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, ka vlerësuar se nëse Parlamenti nuk i voton ato, s’do të ketë as shqiptarë, as maqedonas për shkak të largimit të njerëzve nga vendi.

“Nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese në këtë përbërje parlamentare, atëherë mendoj se për një kohë të gjatë do të ngecim në një vend dhe do të jemi një shtet në të cilin nuk do të ketë as maqedonas, as shqiptarë, as etni tjera sepse njerëzit dalëngadalë po largohen”, ka thënë ai, transmeton mediumi maqedonas ‘Sloboden Pechat’.

Ndryshimet kushtetuese, prekin edhe gjuhët zyrtare dhe për Taravarin, është shqetësuese mënyra se si trajtohet gjuha maqedonase në disa pika.

“Gjuha maqedonase nuk duhet të quhet gjuhë sllavo-maqedonase. Ne tregojmë ndjeshmëri ndaj popullit dhe ajo gjuhë duhet trajtuar si gjuhë maqedonase”.

“Të njëjtën gjë mendoj edhe për gjuhën shqipe”, shtoi ai.

Ushtruesi i detyrës së kreut të ‘Aleancës për Shqiptarët’, ka theksuar se nëse deputetët nuk miratojnë modifikimet në Kushtetutë, mund të zhvillohen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nëse nuk ka marrëveshje për ndryshimet kushtetuese, mendoj se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme”, nënvizoi Taravari.

Sipas tij, duhet menduar për një kushtetutë të re funksionale sepse ajo ekzistuese, siç thotë ai, ka skaduar.

“Është mirë të mendosh për një kushtetutë të re funksionale. Kushtetuta jonë, për fat të keq, është një kushtetutë e skaduar. Non-Stop ka ndryshuar pasi shteti ka evoluar”.

Ndryshimet kushtetuese janë kusht për fillimin e negociatave të antarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Thelbi i këtyre ndryshimeve është përfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës. /Albanianpost.com

Read Previous

Shqiptarët “pushtojnë” Kanalin Anglez, 12 mijë emigrantë mbërrijnë në Britani me varka të vogla

Read Next

Historia e presidentit amerikan që gati filloi luftën bërthamore