Në një qytet të vogël në New Mexico, një palë xhinse Levi’s të viteve 1880 janë shitur në një ankand më shumë se 87 mijë dollarë.
Të gjetura në një minierë të braktisur nga një arkeolog, ato u blenë nga 23-vjeçari Kyle Hautner dhe Zip Stevenson, një veteran i tregut të xhinseve të cilësisë së mirë.
“Ne nuk kishim ndonjë plan për t’i blerë xhinset së bashku derisa filloi ankandi”, ka treguar Stevenson.
Xhinset u shitën për 87 mijë dollarë. Çka përbën një nga çmimet më të larta të paguara ndonjëherë për një palë xhinse.
Hautner ka paguar për to 90 për qind, ndërsa Stevenson kontribuoi me 10 përqindëshin e mbetur.
Edhe pse Stevenson ka drejtuar një dyqan xhinsesh në Los Angeles për gati tre dekada, kurrë nuk kishte parë një palë të ngjashme.
“Këto xhinse janë jashtëzakonisht të rralla veçanërisht në këtë gjendje”, ka shtuar ai.
Për të parën herë ai ka dëgjuar për të rreth pesë vjet më parë kur u zbuluan për herë të parë nga Michael Harris, i cili “ka kërkuar në të paktën 50 miniera të braktisura për pesë vjet dhe nuk ka gjetur një palë të cilësisë së njëjtë”.
Ekzistojnë vetëm disa palë të ngjashme, por mbahen në muze dhe janë shumë delikate për t’u veshur.
Ama këto të gjetura tani janë “çuditërisht të qëndrueshme, kështu që ato patjetër mund të vishen”, sipas Stevenson, duke i cilësuar tejet të forta.
Ankandi u mbajt në Durango Vintage Festivus në periferi të qytetit të vogël të Aztec. Festivali katërditor organizohet nga eksperti i xhinseve të cilësisë së mirë, Brit Eaton, i cili e ka përshkruar gjetjen e këtyre artikujve si “varësi totale”.
“E kam bërë këtë biznes për një çerek shekulli dhe xhinset mesatare të cilësisë së mirë vlejnë rreth 100 dollarë. Kështu që të gjesh një palë kaq të vlefshme është një herë në jetë”, ka vijuar ai.
Fillimisht, ai nuk kishte ndërmend t’i shiste xhinset, kjo ishte arsyeja pse i vendosi ato për këtë çmim relativisht të lartë. Por duke pasur parasysh rrallësinë e tyre, “nuk ishte çudi” që u nxorën në ankand.
Teksa xhinset janë ikonë të Perëndimit Amerikan, dëshmojnë gjithashtu një episod të errët në historinë e vendit.
Një xhep i brendshëm është shtypur me frazën: “I vetmi lloj i bërë nga White Labor”.
Një zëdhënës i kompanisë Levi’s ka sqaruar se kompania e ka përdorur këtë slogan pas prezantimit të Aktit Kinez të Përjashtimit në vitin 1882, i cili ndaloi punëtorët kinezë të hynin në SHBA.
Levi’s hoqi dorë nga kjo politikë në vitet 1890. Sakaq, akti u shfuqizua në vitin 1943.
Stevenson ka treguar po ashtu se do të preferonte që xhinset e rralla të bliheshin dhe të ekspozoheshin në një muze “si ai Smithsonian ose Muzeu Metropolitan i Artit”.
Për momentin, ato mbahen në një kuti sigurie pranë dyqanit të Stevenson’s Denim Doctors në Los Angeles dhe janë të disponueshme për t’u parë.
/CNN/Albanianpost.com
