Komisioni Evropian (KE) këtë të mërkurë të 12 tetorit pritet të publikojë progres raportin për Shqipërinë.
Në një draft – të cilin “Zëri i Amerikës” shkruan se e ka parë – vlerësohet ecuria e Shqipërisë në rrugën e reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Shqipëria vlerësohet pozitivisht për politikën e saj të jashtme të linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian, si dhe për rolin në rajon.
Me nota pozitive përshkruhet dhe nisma “Ballkani i Hapur”, e iniciuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por që ka hasur në kundërshtime të forta nga Kosova.
“Për sa kohë që nisma e ‘Ballkanit të hapur’ është në përputhje me kuadrin e Tregut të Përbashkët Rajonal, përputhet me standardet e BE-së dhe është plotësisht e hapur dhe gjithëpërfshirëse, është një hap i dobishëm drejt zhvillimit të një tregu të përbashkët midis gjashtë ekonomive të rajonit”, shkruhet në raport.
Por, aty theksohet se Qeveria duhet të përparojë më tej se bashku me opozitën dhe shoqërinë civile.
Sipas publikimit të “VOA-s”, në projekt shkruhet se korrupsioni vijon të konsiderohet një shqetësim serioz, ndërsa vendi paralajmërohet se nismat për amnistinë fiskale dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta”.
Sa i takon jopërparimeve, BE-ja mbetet e qartë se vendi nuk ka bërë ndryshim sa i takon lirisë së shprehjes, e cila ishte një problem edhe vitin e shkuar.
Nga ana tjetër, Shqipëria vlerësohet të jetë “mesatarisht e përgatitur” dhe me një “përparim të kufizuar në forcimin e kapaciteteve të ministrive të linjës për të zbatuar vlerësimet e ndikimit rregullator dhe për të mbajtur konsultime publike”.
Por për këtë aspekt nuk mungojnë kritikat.
Këto të fundit, për agjencitë në varësi të ministrive të cilat – sipas Komisionit – “e përkeqësuan më tej çështjen e detyrave që i besohen personelit të punësuar sipas Kodit të Punës, në vend të nëpunësve civilë”.
Raporti nënvizon se “dispozitat për rekrutimin e bazuar në merita, sipas ligjit të shërbimit civil, mbeten për t’u zbatuar plotësisht, veçanërisht për pozitat e nivelit të lartë”.
Sistemi Gjyqësor
Nga ana tjetër, sistemi gjyqësor i Shqipërisë, “ka arritur një shkallë përgatitjeje të moderuar” dhe Reforma në Drejtësi konsiderohet të ketë pasur “një përparim përgjithësisht të mirë”.
Raporti vë në dukje emërimet për plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
Ai thekson se “megjithatë procedurat e gjata, dhe një numër i madh i çështjeve të prapambetura vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”.
Ecuria e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve vlerësohet se “ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme.
Korrupsioni
Sa i takon luftës kundër korrupsionit Shqipëria rezulton të ketë “njëfarë shkalle përgatitjeje”.
Ndërsa vlerësohet se ka pasur rezultate, raporti nënvizon se “mbetet i nevojshëm një vullnet më i madh politik, përpjekje të mëtejshme të strukturuara, dhe burime e aftësi të përshtatshme”.
Sipas Komisionit “pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz”.
Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë.
Sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni, kërkojnë, sipas KE-së, “vlerësim të synuar të rrezikut dhe masa të dedikuara”.
Në të njëjtin nivel konsiderohet të jetë dhe lufta kundër krimit të organizuar, ku vihet re “njëfarë përparimi në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar”.
Progresi i negociatave
Raporti thekson se, “bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me shtetet anëtare të BE-së, Europolin dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme.
Sipas tij, Shqipëria vazhdoi të tregojë angazhim për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit.
Po ashtu, progres i mirë është arritur në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar.
Sipas Komisionit “kjo përpjekje duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Përpjekjet gjithashtu duhet të vazhdojnë për të siguruar rritje të ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në nivelet e larta”.
Por, aty theksohet se pavarësisht kritikave të mëhershme të Brukselit mbi idenë e autoriteteve shqiptare për dhënien e shtetësisë të huajve të pasur që duan të investojnë në vend, Qeveria miratoi një vendim që i hap rrugën angazhimit të një kompanie ndërkombëtare për promovimin e pasaportës.
Vendi paralajmërohet dhe sa i përket nismës tjetër të Qeverisë për aministinë fiskale.
Asaj i kujtohet se është “në listën gri” sa i takon luftës kundër financimit të terrorizmit dhe kundër pastrimit të parave.
E për këtë arsye “duhet të zbatojë elementët e mbetur të planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë”.
Liria e shprehjes
Fusha ku Shqipëria vlerësohet se “nuk ka bërë përparim”, është ajo e lirisë së shprehjes.
“Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës vazhdoi të pengonte pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë. Dezinformatat duke përfshirë fushatat e shpifjeve janë të përsëritura, veçanërisht në mediat online, vetërregullimi i të cilave duhet të sigurohet. Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”, shkruhet në raport.
Aty theksohet se “çdo ndryshim në Ligjin për mediat duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe duhet të dorëzohet për konsultim me organizatat e medias”.
Sipas Komisionit Evropian “mbetet e rëndësishme të sigurohet që media të ketë qasje të drejtpërdrejtë dhe transparente në institucionet qeveritare dhe aktivitetet e tyre”.
Po ashtu “veprimtaria rregullatore e Autoritetit për mediat audio-vizive (AMA) duhet të përmirësohet dhe pavarësia dhe burimet e transmetuesit publik duhet të forcohen”.
/Albanianpost.com/