Charles Kupchan nga Këshilli Amerikan për Marrëdhënie me Publikun, ka deklaruar se Serbia do ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, në këmbim të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, por do te shohim se si dhe kur do të realizohet ky projekt.
Duke marrë parasysh se qeveritarët serb mund të jenë kundër hyrjes në Bashkimin Evropian, nëse kusht për këtë është njohja e Kosovës, Kupchan thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i aftë që të bëjë një balancim.
“Unë besoj se njohja formale duhet të jetë parakusht. Kjo është leva që ka Bashkimi Evropian në marrëdhëniet me Serbinë, anëtarësimi i plotë në këmbim të njohjes së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij do të jetë një nxitje e fortë dhe e mjaftueshme për Serbinë që t’i normalizojë raportin me Kosovën, këto procese janë në regres dhe lufta në Ukrainë është duke tërhequr vëmendjen më të madhe.
Charles Kupchan në një intervistë për REL përmendi gjithashtu edhe letrën e presidentit të Frances, Emanuel Macron dhe të kancelarit gjerman, Olaf Schloz, dërguar udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, e cila thekson normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Letra e Macronit dhe e Schloz vjen në kohën e duhur dhe bart mesazhin e duhur. Rritja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë kërkon angazhim të madh, europian dhe transatlantik. Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin vendime të vështira dhe t’i arrijnë kompromiset e nevojshme’, përfundoi ai.
/GazetaSinjali/