Ministrja Haxhiu: Jashtëzakonisht e shqetësuar me dhunën ndaj grave

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin me dhunën fizike ndaj grave, vajzave e fëmijëve.

Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka sqaruar se për rastin e dhunës së ushtruar ndaj një vajzë të mitur në Prizren ka raportuar policinë dhe prokurorinë.

“Çdo formë e dhunës ndaj vajzave, grave dhe fëmijëve, duhet trajtuar seriozisht dhe menjëherë. Për rastin e dhunës fizike në Prizren, kam raportuar policinë dhe prokurorinë dhe pres që institucionet ta trajtojnë me prioritet këtë rast, dhe viktimat e qytetarët të sigurohen se dhunuesit do të ndëshkohen”.

Ndërkaq, theksoi se dhuna është rrënjosur thellë në shoqëri saqë po ushtrohet edhe publikisht.

“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar me dhunën fizike dhe emocionale të ushtruar ndaj grave, vajzave e fëmijëve. Fatkeqësisht është rrënjosur aq thellë në shoqërinë tonë, sa dhunuesit mund ta ushtrojnë atë publikisht, pa asnjë pikë problemi. Nëse dhunuesit dhunën fizike e ushtrojnë edhe publikisht, e marrim me mend se çka ndodhë prapa dyerve të mbyllura”.

Në dhjetor të vitit 2021, ishte protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës kundër abuzimit dhe dhunës ndaj grave, e organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet, Artpolis.

Kjo për shkak se, dhuna në familje ndaj grave dhe vajzave “po durohet në heshtje”.

Një numër i madh i grave dhe vajzave të veshura në të bardha, kishin marshuar drejt Qeverisë së Kosovës, me moton ““BOLL MA – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”. /Albanianpost.com

Read Previous

Manchester United synon pesë transferime të mëdha deri në fund të afatit kalimtar të verës

Read Next

Zhdukja e biznesmenit Bedri Rexhepi, ndalohen dy persona dhe sekuestrohen disa prova materiale