Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes përfundimtare.
Kështu të paktën thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, pas takimit që Sekretari Antony Blinken ka realizuar me dy krerët e Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, të martën në mbrëmje.
Sipas njoftimit, Blinken gjatë takimit ka theksuar fuqinë e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës si dhe ka falënderuar liderët kosovarë për përkrahjen e fortë për Ukrainën dhe pritjen e refugjatëve afganë.
“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, në rrugën përpara drejt integrimit euro-atlantik”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Pas takimit me Blinken, Osmani dhe Kurti gjatë një prononcimi për mediat treguan për atmosferën e takimit dhe çështjet të cilët u diskutuan brenda tij.
Për Osmanin takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit ishte i shkëlqyeshëm në të cilën u konfirmuar që “Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë sesa SHBA-të”.
Osmani më tej tregoi se gjatë takimit kanë biseduar edhe për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe sidomos nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Në këtë takim ajo tha se kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë dhe shtoi se administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, “gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”.
E për Kurtin takimi me Blinken ka qenë shumë i përzemërt.
I pari i ekzekutivit ka treguar se nga Blinken kanë kërkuar shtimin e investimeve amerikane në Kosovë si dhe rritjen e shkëmbimit tregtarë midis dy vendeve. /Albanianpost.com