69 raste me fruth në Kosovë, IKSHPK apelon për vaksinimin e fëmijëve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 69 raste me fruth në vend. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar gjashtë raste të reja.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 21 raste, pasuar nga Ferizaji dhe Fushë-Kosova me nga 12 raste secila. Kaçaniku ka raportuar shtatë raste, Lipjani tre raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja, Drenasi dhe Obiliqi nga dy raste secila.

Nga një rast është konfirmuar në komunat Podujevë, Gjilan, Deçan, Skënderaj, Shtërpcë dhe Viti.

IKShPK u bën thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqitet sa më shpejt në institucionin më të afërt shëndetësor.

“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare”, thuhet në njoftim.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik. /RTKlive

Read Previous

Trump njofton tarifa të reja prej 50% për importet kanadeze

Read Next

​Humbjet ndaj Shqipërisë dhe Sllovakisë alarmojnë basketbollin kosovar, kërkohen ndryshime