• 1 July, 2022

5 klauzolat më të “çuditshme” në historinë e futbollit

Klauzolat në kontratat e lojtarëve nuk janë të panjohura për publikun. Zakonisht ato janë në vlera monetare, për të ndaluar largimin e parakohshëm të një futbollisti nga një klub.

Por, në nivelet e larta të futbollit ka pasur disa raste ku klauzolat kanë qenë vërtetë të “çuditshme”.

Cilat kanë qenë pesë klauzolat më të “çuditshme”?

1-Luis Suarez – Barcelona: Anti-kafshim

Uruguajani u nënshkrua nga katalanasit në vitin 2014 pas Kupës së Botës, ku ai kafshoi mbrojtësin e Italisë, Giorgio Chiellini.

Sipas britanikes “Daily Mirror”, kontrata e Suarez përfshinte një klauzolë “anti-kafshim”, ku lojtari duhet të paguante klubin nëse përsëriste gjestin e tij.

2-Stefan Schwarz – Sunderland: Kundër udhëtimit në hapsirë

Schwarz nënshkroi me Sunderland-in në vitin 1999 nga Valencia. Më pas ai zbuloi se një mik i tij kishte dy bileta për një udhëtim në hapsirë në vitin 2002.

Klubi anglez donte të shmangte çdo mundësi, edhe ato hipotetike, që lojtari i tyre të hipte në atë fluturim. Ndaj ata i vendosën një klauzolë kundër udhëtimit në hapsirë.

3-Rafael Van Der Vaart – Real Betis: Nuk mund të luash me taka të kuqe

Holandezi nënshkroi me Real Betis-in në vitin 2015. Mirëpo, ish-lojtari i Real Madrid-it dhe Tottenham-it luante me taka futbolli në ngjyrë të kuqe. E preferua e tij.

Por, ngjyra e kuqe është e rivalëve të Betis-it, Sevilla-s. Ndaj dhe në klauzolën e Van der Vaart u vendos të mos luante me taka me ngjyrë të kuqe.

4-Mario Baloteli – Milan dhe Liverpool: Anti-skandal dhe sjelljeve anti-sportive

Kur Baloteli nënshkroi me Milan-in, kuqezinjtë e njihnin karakterin e tij të paqëndrueshëm dhe shpeshherë ishte në qendër të vëmendjes mediatike për sjellje jo të mira.

Kuqezinjtë vendosën klauzolë në kontratën e “Super Mario”-s të tipit anti-skandal, ku përfshiheshin edhe modelet e “çuditshme” të flokëve.

Me Liverpool-in, sulmuesi italian kishte klauzolë për sjelljet anti-sportive. Ai do të duhej të paguante klubin me 1 milion paund nëse përjashtohej më shumë se tre herë për sjelljet anti-sportive në të njëjtin sezon.

5-Romeo Castelen – Volga Nizhny: Pagesë për çdo minutë në fushë

Holandezi nënshkroi me skuadrën ruse të Volga Nizhny, duke parashikuar në klauzolën e tij pagesën për çdo minutë që ai kalonte në fushë dhe jo mujore apo vjetore. /Albanianpost.com

Read Previous

Qytetarët e Gjakovës mirëpresin marrëveshjen për lehtësira në kufirin Kosovë-Shqipëri

Read Next

Gërvalla takohet me homologun irlandez, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE