114 ditë luftë në Ukrainë

*

Qindra civilë të strehuar në fabrikën kimike Azot në Sievierodonetsk nuk janë më në gjendje të evakuohen për shkak të breshërive të vazhdueshme të artilerisë ruse.  Guvernatori i Luhansk, Serhiy Haidai tha për CNN se 568 njerëz, përfshirë 38 fëmijë, po strehohen në uzinën Azot. Një udhëheqës separatist pro-rus pretendoi se forcat e mbështetura nga Rusia do të rihapinin një korridor humanitar për civilët që të largoheshin nga uzina.

*

Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë u zotuan të mbështesin ofertën e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, gjatë një vizite në Kiev. Macron tha se të katërt liderët e pranishëm të BE-së mbështesin idenë e dhënies së një statusi kandidat “të menjëhershëm” në BE për Ukrainën.

*

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia “nuk ka turp të tregojë se kush është”. “Ne s’e pushtuam Ukrainën, ne shpallëm një operacion të posaçëm ushtarak sepse nuk kishim absolutisht asnjë mënyrë tjetër për t’i shpjeguar perëndimit se tentativa e Ukrainës drejt NATO-s ishte një akt kriminal,”- tha ai.

*

NATO thotë se është e gatshme të sigurojë pajisje për të ruajtur të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje dhe do të bëjë më shumë dislokime trupash në krahun e saj lindor. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi luftën si “luftë të pamëshirshme rrënimi kundër Ukrainës”dhe tha se NATO vazhdoi të ofrojë “mbështetje të paprecedentë në mënyrë që të mund të mbrohet kundër agresionit të Moskës”.

*

Kreu i forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar thotë se Rusia tashmë e ka “humbur strategjikisht” luftën në Ukrainë dhe tani është një “fuqi më e zvogëluar”. Sipas tij, Vladimir Putin kishte humbur 25% të fuqisë tokësore të Rusisë vetëm për përfitime “të vogla” dhe se rusëve po i mbarojnë trupat dhe raketat e avancuara dhe nuk do të jetë kurrë në gjendje të pushtojë të gjithë Ukrainën.

*

Të paktën tre civilë u vranë dhe shtatë u plagosën nga një sulm ajror rus në qytetin lindor të Lysychansk. Sulmi goditi një ndërtesë ku civilët ishin strehuar.

*

Fëmijët e lindur në rajonin Kherson të Ukrainës që nga 24 shkurti do të marrin automatikisht shtetësinë ruse, sipas zyrtarëve. Kirill Stremousov, nënkryetari i administratës ushtarako-civile të imponuar nga Rusia në rajonin e pushtuar Kherson, pretendoi se mijëra qytetarë në territor po aplikonin për nënshtetësinë ruse. Ukraina ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për rrëmbimin e fëmijëve nga territori i saj dhe transferimin e tyre në Rusi.

*

Mbretëria e Bashkuar njoftoi një valë të re sanksionesh kundër Rusisë që synojnë njerëzit e përfshirë në “trajtimin barbar të fëmijëve në Ukrainë”. Ata që janë në shënjestër të sanksioneve përfshijnë komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, komandantët ushtarakë, Vladimir Mikhailovich dhe Patriarkun Kirill, kreun e kishës ortodokse ruse.

*

Zelenskiy akuzoi Rusinë se nuk ishte e gatshme të kërkonte një rrugë drejt paqes, duke pretenduar se ajo “do të vendosë vetë se lufta duhet të përfundojë”. Negociatori ukrainas i bisedimeve të paqes Mykhailo Podolyak hodhi poshtë gjithashtu komentet më të fundit të Rusisë për gatishmërinë për të vazhduar negociatat si “një përpjekje për të mashtruar botën”. Rusia, tha ai, donte të jepte përshtypjen e gatishmërisë për të biseduar ndërkohë që planifikon ta godasë Ukrainës pas shpine.

Burimi: The Guardian

Read Previous

Negociatat Shqipëri – BE, Lajçak: Problemi qëndron brenda unionit

Read Next

Moti gjatë 7 ditëve në Gjakovë