​Spahiu: Aleanca ruso-serbe po lëkundet për shkak të dobësimit të Rusisë në Ukrainë

Aleanca sllave ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është duke u lëkundur pasi kjo e fundit po dobësohet pas nisjes së agresionit ushtarak në Ukrainë.

Kështu thotë gazetari Albert Spahiu, duke shtuar se pushteti në Serbi po shtiret sikur po demokratizohet.

“Aleanca po lëkundet, jo se Serbia po modernizohet, por sepse ajo po mbetet pa Rusinë e fortë. Aleanca po lëkundet për shkak të dobësimit rus në Ukrainë. Kjo është brengosëse, sepse pushteti në Serbi po shtiret sikur po demokratizohet”, thekson Spahiu në emisionin Lindje-Perëndim në Tch, përcjell KosovaPress. 

Ai shton se tashmë venitja ruse po ndodh.

“Kam frikën se kjo aleancë po lëkundet jo për hir të së vërtetës, pikëpamjeve vërtet demokratike serbe, por për shkak se momentalisht serbët po e shohin venitjen ruse”, shton ai.

Sipas Spahiut, Rusia ka qenë vetëm atëherë në krahë të Serbisë kur e ka konsideruar si “levë” për t’i kryer qëllimet e veta në Ballkan.

“Rusia nuk ka qenë gjithmonë në krah të Serbisë. Ajo ka qenë vetëm atëherë, kur Serbinë e ka konsideruar si levë për t’i kryer qëllimet e veta në Ballkan”, përfundon Spahiu.

Kujtojmë se Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi kjo kishte nisur aksionin ushtarak për të pushtuar Ukrainën.

/KosovaPress/TCH/

Read Previous

Rruga në Bronx emërohet “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Kurti i uron organizatorët

Read Next

Shqetësimet për ujin e pijshëm në disa fshatra të Deçanit, Ramosaj thotë se gjendja është nën kontroll