Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Mitrovica e Jugut të shkojë në rivotim, dy ditë pas përfundimit të balotazhit në këtë komunë. Në PDK thanë të martën se në Mitrovicë të Jugut është përdorur fenomeni i “trenit bullgar” dhe kësisoj është dëmtuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, tha të martën se në Mitrovicë të Jugut ka pasur bartje të fletëvotimeve nga një qendër votimi në një qendër tjetër. Sipas tij, kjo nuk ka guxuar të ndodhë, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet dhe me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ai nënvizoi se kërkesën për rivotim do ta parashtrojnë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Më 9 nëntor është zhvilluar procesi i raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të Jugut. Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, në këtë komunë ka fituar kandidati i LVV–Guxo, Faton Peci, kundrejt kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri.
“Sot do të dorëzoj ankesë në PZAP, të cilës do t’ia bashkëngjes të gjitha provat relevante për këtë manipulim. Deklaratat e komisionerëve të PDK-së dhe me këtë rast kërkojmë që kamerat që ndodhen në klasa të administrohen si prova edhe pranë Prokurorisë së Shtetit. PDK vlerëson se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë, pasi janë shkelur Ligji për Zgjedhjet dhe standardet e njohura nga Komisioni i Venedikut. Në këto kushte, paraqes kërkesat e PDK-së: Ne kërkojmë që Mitrovica të shkojë menjëherë në rivotim, pasi janë disa qendra të mëdha ku janë vërejtur parregullsi. Kërkesa jonë për rivotim në Mitrovicë do të shkojë edhe në PZAP. Vetëm një proces i drejtë dhe i pastër mund të garantojë legjitimitetin e rezultatit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve”, theksoi ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një njoftimi për media të martën, tha se ka pranuar një sqarim zyrtar nga kompania që ka shtypur fletëvotimet, lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, Gruda, i cili është edhe deputet i PDK-së tha se edhe nëse pranohet se ky ka qenë një gabim teknik, kjo nuk e zhbën faktin se duhet të ketë përsëritje të votimit në Mitrovicë të Jugut.
“Edhe nëse e pranojmë faktin se ky ka qenë një gabim teknik, kjo nuk e zhbën faktin se Mitrovica duhet të shkojë në rivotim. Një gabim teknik që ka ndikim përmbajtësor në rezultatin e procesit zgjedhor nuk mund të lihet si i tillë pa u sanuar. Sanimi mund të ndodhë vetëm me rivotim. Në praktikën e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme të Kosovës gjithherë është thënë se edhe nëse është gabim teknik dhe ka peshë në rezultatin zgjedhor, ajo duhet të sanohet. Në këtë rast, sanimi i vetëm që mund të ndodhë është përsëritja e zgjedhjeve në Mitrovicë dhe dhënia e shansës qytetarëve të Kosovës që të votojnë të lirë dhe me ndërgjegje të tyre. Sot qytetarët e Mitrovicës kanë të drejtë të dyshojnë se vota e tyre për një kandidat të caktuar nuk ka shkuar aty ku kanë dashur. Nëse KQZ-ja, PZAP-i dhe çdo organ i shtetit vendosin t’i besojnë kompanisë që ka thënë se ka qenë gabim teknik, ka vetëm një rrugë: të ketë rivotim dhe të shtypen fletëvotime të reja nga kompania. Vetëm kështu mund të restaurohet ky proces dhe asnjë justifikim tjetër nuk e përmirëson shkeljen që ka ndodhur”, shtoi ai.
Sipas Grudës, procesi zgjedhor në Mitrovicë të Jugut është shoqëruar edhe me presion të madh dhe përdorim të institucioneve të shtetit për të ndikuar tek votuesit.
“Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë gjatë procesit të numërimit kanë vërejtur parregullsi të rënda. Fletëvotimet me një numër serik të caktuar që i takonin një klase janë gjetur në klasën tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi. Pra, ka pasur bartje të një fletëvotimi nga një klasë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën. Të gjitha këto dyshime shtohen kur Mitrovica është e vetmja komunë në Kosovë ku dalja në votime, pjesëmarrja e qytetarëve, është më e madhe sesa në raundin e parë. Ju e dini se në vitin 2011, Mitrovica ka shkuar në rivotim për shkak të dështimit të baterive si rrjedhojë e dështimit të KQZ-së për të garantuar procesin e rregullt. Këtë herë dështimi i KQZ-së është edhe më i madh, serioz dhe absolutisht ndikues në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e këtij procesi. Këto janë shkelje të qarta të Ligjit për Zgjedhje dhe ngrejnë dyshime të bazuara për lëndim të procesit zgjedhor dhe aktivizim të ashtuquajturit ‘treni bullgar’, që është një mekanizëm që mundëson blerjen e votës”, theksoi ai.
Në lidhje me kërkesën që kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili vjen nga PDK-ja, që të shkarkohen dy anëtarët e PDK-së në KQZ, Gruda tha se dy përfaqësuesit e kësaj partie në KQZ kanë kryer detyrën siç e kërkon ligji dhe kanë mbrojtur interesin partiak.
“Dy përfaqësuesit tanë në KQZ, me të marrë informacionin, kanë shkuar atje dhe janë angazhuar me mua dhe ekipin ligjor për të punuar që e vërteta të zbardhet. Ata kanë kryer detyrën e tyre siç e kërkon ligji dhe siç u kemi kërkuar ne”, theksoi ai.
Të hënën mbrëma u ndërpre numërimi në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut. Në qendrën e numërimit atje, shkoi policia dhe prokuroria nën dyshimin për manipulim me vota.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës përmes një njoftim zyrtar ka thënë se përkohësisht numërimi i votave për kryetar komune në Mitrovicën e Jugut do të ndërpritet, në mënyrë që të hiqen të gjitha dyshimet.
Ndërkohë, manipulimet me procesin zgjedhor në Mitrovicë të Jugut i kanë mohuar në Lëvizjen Vetëvendosje. /KosovaPress/