​MPB: Gjoba për ngasësit e automjeteve me targa ilegale do të jetë 150 euro

Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë sërish thirrje qytetarëve serbë që të regjistrojnë automjetet e tyre në targa RKS, ndërkohë që gjoba për ata që hasen duke vozitur pa këto targa gjoba do të jetë 150 euro.

Në një komunikatë për media thuhet se një gjë e tillë mund të bëhet në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, me datë 28.10.2022 që procesi i regjistrimit të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal më datë 21 prill 2023.

“Të nderuar qytetarë, ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri më datë 31 mars 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që kanë”, thuhet në komunikatë.

Me vendimin e ri, nga data 1 nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Nga data 21 nëntor deri me datë 21 janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.

Nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.

Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.

Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtetin tonë, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar. Për çfarëdo informacioni shtesë, lusim qytetarët që të na drejtohen me pyetje në [email protected] si dhe në numrin e telefonit 0800 GO-RKS (0800 46 757).   /KosovaPress/

Read Previous

Dy të vdekur pas të shtënave në jug të Londrës

Read Next

Musk mohon raportimin se planifikohet shkarkimi masiv i punëtorëve nga Twitteri