​Më 15 janar ndizen qirinj për viktimat e gjenocidit serb në Kosovë

Në 25-vjetorin e kryerjes së gjenocidit serb në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, do të organizojë ndezjen e qirinjve në të gjitha sheshet e qyteteve të Kosovës.

Ndezja e qirinjve nën moton “Ne nuk harrojmë – Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë”, do të bëhet më 15 janar para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.

Po në të njejtën kohë do të organizohet edhe ndezja e qirinjve nga qytetarët edhe në sheshet e tjera të Kosovës.

“Solidarizimi i qytetarëve jashtë kufijve të Kosovës do të jetë i mirëseardhur”, thuhet në njoftim.

Nga kjo qendër kanë bërë thirrje “të përkujtojmë se viti 2024 shënon një çerek shekulli i gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës, të cilin e kanë zbatuar forcat serbe gjatë luftës së fundit”.

“Siç kemi bërë thirrje edhe më herët, shfrytëzojmë rastin që edhe njëherë të ftojmë institucionet qendrore e lokale të Kosovës, partitë politike, organizatat joqeveritare e të gjithë qytetarët, që këtë çerekshekull të gjenocidit mbi popullin tonë ta shënojmë në mënyrë sa më të dinjitetshme, duke treguar përgjegjësi të lartë shtetërore e qytetare”.

Po ashtu, në njoftim thuhet se organizimi me vetiniciativë edhe i qytetarëve në qytetet jashtë kufijve të Kosovës është i mirëseardhur, “andaj ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë të bëjnë nderimin e viktimave të gjenocidit pikërisht më 15 janar 2024 nga ora 19:30”.

Nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kanë theksuar se ata që nuk kanë mundësi që të dalin në sheshe, këtë mund ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e shtëpive të tyre.

Ata kanë ftuar edhe organizatat joqeveritare, veçanërisht ato që në fokus të aktivitetit të tyre e kanë çështjen e viktimave të luftës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet përkujtimi.

“Përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që ne duhet të bëjmë në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit!”. /Albanianpost.com

Read Previous

​Emiratet e Bashkuara Arabe ia heqin vizat Kosovës

Read Next

​Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun irlandez