Toto Wolff: Tani për tani kemi një makinë që mund të fitojë titullin në F1
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizatat “Mbrojtja Civile”, dhe “Brigata e Veriut”, si organizata terroriste dhe strukturat ilegale po mbyllen, shërbimet e tyre po zëvendësohen me shërbime të mira e të drejta të institucioneve të Kosovës.
Kurti në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se konfirmojnë angazhimin për drejtësi e cila është për paqe të qëndrueshme dhe pajtim në mes popujve.
“I bëjmë thirrje organeve tona të drejtësisë, prokurorisë e gjyqësorit që të jenë shumë më aktiv e të bëjnë krejt çfarë munden e dinë, në mënyrë që plagët e hapura nga krimet e kryera gjatë luftës ndaj popullit tonë të mbyllen me drejtësi për viktimat dhe për ndeshkushmëri për kriminelët. Por është interesant që në 11 korrik, bëhet 11 vjet prej kur me procedura të përshpejtuara, deputetët nga të gjitha partitë që janë në opozitë sot me të dy të tretat e votave imiratuan projektligjin për amnisti që i fali krimet e strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qeveritarët e asaj kohe e përshkruanin ligjin si një akt të rëndësishëm e të nevojshëm politik… Qeveria jonë i ka shpallur organizatat e tyre “Mbrojtja Civile”, dhe “Brigata e Veriut”, organizata terroriste, strukturat ilegale po mbyllen, shërbimet e tyre po zëvendësohen me shërbime të mira e të drejta të institucioneve të Kosovës. Nuk ka amnisti sepse ajo do të ishte padrejtësi ndaj viktimave, qytetarëve dhe shtetit tonë pa dallim, ka respektim të rendit dhe të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti tha se fuqizimi i subjektivitetit të Kosovës është cak i programit qeveritar dhe punës së përditshme të tyre.
“Në Këshillin e Evropës kemi kaluar me sukses fazën e ambasadorëve të Këshillit të Evropës, komitetit për çështje politike dhe Asamblesë parlamentare, të cilat që të gjitha i kanë thënë po të zëshme e të fuqishme, bindës anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të vjetër të kontinentit tonë. Vazhdojmë të besojmë që anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për organizatën dhe mekanizëm i duhur për qytetarët tanë. Ndërkaq, në asamblenë parlamentare të NATOS-s, vendi ynë me shumicë dërmuese të votave të delegatëve të shteteve anëtare të NATO-s, mori statusin e anëtarit të asociuar. NATO-n e duam në Kosovë dhe Kosovën e duam në NATO”, tha ai.
Kurti tha se nga janari u liberalizuan vizat dhe shteti më në fund ka një pasaportë për të cilin të gjithë jemi krenarë dhe po fuqizohet çdo ditë. Sipas tij, bashkë me regjimin e vizave është heq edhe regjimi i stikersave për qytetarët e Kosovës kur udhëtohet në drejtim të Serbisë.
“Në këtë gjashtë mujor për herë të parë fillojë edhe regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit dhe inkasimi për konsum të energjisë. Në fund e pas një kohe shumë të gjatë e cila matet me dekada e jo me vite, vrima prej të cilës rrjedhje pa ndërprerë e ma masë paraja e buxhetit tonë, po mbyllet një herë e përgjithmonë”, tha ai.
Ai u ndal edhe te organizimi i brendshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se vazhdojnë të jenë subjekti më i madh politik në Kosovë dhe jovetëm.
“Tashmë nuk ka dyshim që zgjedhjet janë çështje muajsh e kur dimë gjëra që janë të afatizuara, nuk ka arsye apo shkaqe që të jemi të papërgatitur”, tha Kurti.
Kryeministri Albin Kurti shtoi se në pamundësi për të qenë në rrjedhat e strukturave organizative, dikush mund të ketë një lloj ftohje ndaj Vetëvendosjes, duke mos e parë vetën si pjesë të projektit dhe ecjes së përbashkët, andaj takimet janë të domosdoshme për mos krijimin e këtij perceptimi.
Kryeministri Kurti gjithashtu ka dënuar aktin kriminal të tentim vrasjes së ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke i dëshiruar shërim të shpejt.
Ai tha se ka mbetur i shokuar nga tentim vrasja e ish-presidentit, Trump.
“Dhuna politike është e papranueshme, demokracia dhe paqja janë vlera dhe mënyra të drejta kudo. Qartazi jetojmë në një epokë që nuk është veçse e vështirë por edhe e rrezikshme dhe prirkëshit për këtë arsye, shteti ligjor , demokracia të jenë shumë më të fuqishme se kurrë më parë dhe të mos kenë kurrë rehati. SHBA janë miku dhe aleati jonë më i madh dhe i pazëvendësueshëm”, tha ai./kp