​Haxhiu: Këto janë procedurat e konstituimit të Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur pas përfundimit të takimit me përfaqësuesit e partive politike, procedurat që do t’i paraprijnë seancës konstituive të Kuvendit.

“Në përputhje me Kushtetutën, seanca konstituive pra siç e dini do të mbahet me datën 6 gusht në orën 10:00. Rendi i ditës i seancës konstituive sipas rregullores ka këto pika: formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, shqyrtimi i raportit të tij, betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit apo kryetares së Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, që është zoti Avni Dehari, i ndihmuar nga deputetja më e re që është zonja Fatma Thaçi. U pajtuam edhe për caktimin e ulëseve në sallën plenare, sipas numrit të mandateve dhe praktikës parlamentare, duke pasur parasysh vullnetin e shprehur të subjekteve që përfaqësojnë po ashtu grupet parlamentare, pra deputetët e grupeve parlamentare dhe ata që vijnë nga komunitetet joshumicë.”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo sqaroi se para seancës konstituive do të regjistrohen deputetët.

“Administrata e Kuvendit ka përfunduar përgatitjet për regjistrimin e deputetëve dhe siç e dini, regjistrimi i deputetëve do të ndodhë më 3 gusht për Lëvizjen Vetëvendosje, më 4 gusht për PDK-në dhe LDK-në, dhe më 5 gusht Aleanca dhe deputetët që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës. Procedura është e njohur për të gjithë, përgatitjet e Kuvendit kanë përfunduar dhe uroj që më 6 gusht Kosova të arrijë të konstituojë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Puna që na pret është e madhe, sepse qytetarët e thanë sërish, e thanë qartë se çfarë presin nga ne dhe se çfarë presin nga institucionet e Republikës së Kosovës.”, ka përfunduar Haxhiu.

Haxhiu bëri me dije, se më 11 dhe 12 gusht, dyert e Kuvendit do të hapen për bashkatdhetarët që këtë verë kanë ardhur në Kosovë. /KosovaPress/

Read Previous

​KOMF: Institucionet parashkollore të zbatojnë me rigorozitet kërkesat për vaksinim

Read Next

Pse klubet më të mëdha të Evropës po paguajnë ende shuma marramendëse për lojtarët mbi 30 vjeç?