​BE-ja pret të hapet tema e Asociacionit brenda këtij viti, Qeveria prioritet i konsideron të zhdukurit

Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës kanë shpërfaqur dallimet për vazhdimësinë e agjendës së dialogut me Serbinë. Ndërmjetësuesit e këtij procesi presin që tema e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të hapet brenda këtij viti, derisa në ekzekutiv urgjente dhe prioritet e konsiderojnë çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

Në Qeverinë Kurti e shohin të pakuptimtë dhe pabazuar edhe frikën e opozitës për implementimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, kur të njëjtit e kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e etnitetit me shumicë serbe. Ndërkohë, njohësit e procesit të dialogut presin që Asociacioni të jetë ndër temat e para që do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një përgjigje vazhdon presionin për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ai thotë se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në takimin e fundit ka marrë parasysh shqetësimet e palës serbe për moszbatimin e kësaj marrëveshje.

Stano nënvizon se në një nga takimet e ardhshme të kryenegociatorëve, para fundit të vitit 2021, BE-ja do të trajtojë çështjet e pazgjidhura që dalin nga marrëveshja e Brukselit me dy palët si çështje prioritare.

“Themelimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Kjo marrëveshje u vendos në mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Ajo asnjëherë nuk është anuluar. BE dhe shtetet anëtare të saj presin që të gjitha marrëveshjet të respektohen dhe zbatohen plotësisht nga të dyja palët. Në diskutimet e fundit në nivelin e kryenegociatorëve, përfaqësuesi special i BE-së Lajçak mori parasysh shqetësimet e ngritura nga pala e Beogradit në lidhje me moszbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. BE-ja si ndihmëse, do të trajtojë çështjet e pazgjidhura që dalin nga marrëveshja e Brukselit me të dyja palët si çështje prioritare në një nga takimet e ardhshme të kryenegociatorëve, para fundit të vitit”, thotë Stano.

Por, temat e diskutimit në kuadër të dialogut me Serbinë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se duhet të kenë paraprakisht pajtueshmëritë e të dy palëve.

Përkitazi me këtë, ai thotë për KosovaPress se nuk ka urgjencë më të madhe se sa trajtimi i çështjes së të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

“Për çdo temë që trajtohet në takimet në kuadër të dialogut me Serbinë, duhet të ketë paraprakisht pajtueshmërinë e të dy palëve. Ndërkohë, nuk ka urgjencë më të madhe se sa trajtimi i çështjes së të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Përveçse urgjente, për ne kjo çështje është edhe prioritare”, thekson Kryeziu.

Lidhur me kritikat e opozitës se marrëveshja për targat e automjeteve është hapi i parë drejtë themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, Kryeziu thotë se janë të pabaza dhe pakuptimta.

Sipas tij, frika e shprehur nga opozita e tanishme, ish nënshkruesit dhe përkrahësit e djeshëm të marrëveshjes për Asociacionin është dëshmia më e mirë e dëmeve që ata i kanë shkaktuar vendit me këtë marrëveshje.

“Marrëveshja për targat është një zgjidhje e përkohshme e një situate të re të krijuar pas vendimit të qeverisë për përdorimin e tabelave të përkohshme për veturat me regjistrim serb. Edhe marrëveshja, sikurse vendimi paraprak i qeverisë, bazohet në trajtimin të barabartë të qytetarëve të të dy vendeve sa i përket përdorimit të targave, pas më shumë së një dekade trajtim të pabarabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra nga 20 shtatori e tutje kemi raport reciprok me Serbinë sa i takon kësaj çështje, e që në rastin tonë kemi avancim të pozitës dhe trajtimit. Duhet gjithmonë ta kujtojmë se opozita e sotme janë nënshkruesit, përkrahësit dhe votuesit e djeshëm të marrëveshjes për Asociacionit të Komunave me Shumicës Serbe që u gjetë të jetë në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës në plot 23 pika nga vet Gjykata Kushtetuese. Frika e shprehur nga ta sot, sado e pakuptim dhe e pabazuar në raport me qeverinë, është dëshmia më e mirë e dëmeve që ata i kanë shkaktuar vendit me atë marrëveshje”, shton ai.

Nga ana tjetër, diskutim të temës së Asociacionit pret njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, i cili thotë për KosvoaPress, se Qeveria e Kosovë duhet të jetë e përgatitur për të argumentuar pozicionin për këtë temë, qoftë edhe akomodimin e idesë për këshillin nacional të pakicave.

Raci: Tema e Asociacionit do të jetë në tavolinën e diskutimit në takimin e radhës

“Kjo do të hapet është pjesë e diskutimeve që janë duke u bërë në Bruksel për gjitha marrëveshjet që nuk janë zbatuar deri tani. Ne e dina se Kosova ka paraqitur një listë prej 11 marrëveshjeve që Serbia nuk po i zbaton, të njëjtën kohë në takimin e fundit që e kishin për targat është evidentuar nga pala serbe edhe mos zbatimi i marrëveshjes për asociacionin. Andaj, pritet që kjo temë të jetë në tavolinë të diskutimit dhe kjo kam paraparë që kjo do të jetë tema e ardhshme, menjëherë pas zgjedhjeve lokale nëse do të ketë takim të nivelit të lartë, apo teknik. Natyrisht pala e Kosovës duhet të jetë e përgatitur për të argumentuar dhe prezantuar qëndrimet saja zyrtare. Tash e kemi edhe idenë e kryeministrit Kurtit, formimi i një këshilli të minoriteteve, i ngjashëm me atë në Serbi. Sa do të akomodohen ky këshill brenda strukturës sonë kushtetuese, duhet të shihet nga ekspertët kushtetuese dhe juridik”, thotë ai.

Ai sugjeron ekzekutivin që të zbatojë obligimet e saja ndërkombëtare që kanë dal nga marrëveshja e Brukselit në vitin 2013. Por, sipas tij, Asociacioni duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi çdo interpretim tjetër dërgon në tema të rrezikshme që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Raci: Kosova duhet të zbatojë obligimet e saja ndërkombëtare

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar, pasi është pjesë e marrëveshjes së prillit 2013 që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Andaj Kosova duhet të zbatojë obligimet e saja ndërkombëtare. Tash mënyra si do të themelohet një asociacion i tillë është i definuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo interpretim, apo diskutim që e tejkalon atë vendim të kushtetueses nuk i kontribuon stabilitetit politik të vendit dhe qon në tema të tjera që janë të rrezikshme për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, shton Raci.

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi ende ka një të ardhme të paqartë, derisa takimi i fundit i nivelit të lartë ka qenë në muajin korrik. Dy delegacionet në nivel teknik kanë vazhduar diskutimet, por pa gjetur pajtueshmëri as për temën e të zhdukurve me forcë gjatë luftës. Ndërsa së fundmi u arrit një marrëveshje për targat e automjeteve, pas krijimit të tensioneve si pasojë e vendosjes së reciprocitetit nga Kosova./E.Zeqiri/ 

Read Previous

Psikologët shpjegojnë pse “Squid Game” është kaq popullor

Read Next

Shkolla fillore “Gjergj Fishta” dikur kishte 460 nxënës ndërsa sot ka 180 nxënës