​A janë fushat sintetike kancerogjene?

Futbolli i Kosovës zhvillohet në pjesën më të madhe nëpër fusha sintetike kjo pasi mungojnë fushat me bari natyral dhe se shumica e klubeve kanë vështirësi për t’i mirëmbajtur ato.

Por, në shumë raste ka qenë në diskutim kualiteti i fushave sintetike që ndërtohen në Kosovës. Mjekët sportivë kanë thënë për KosovaPress se këto fusha janë shkaktarë i shumë lëndimeve të lojtarëve, por ata kanë shkuar edhe më tutje duke thënë se ato edhe mund të jene kancerogjene.

Por, këtyre konkludimeve iu është përgjigjur presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ai për KosovaPress ka thënë se këto pretendime nuk qëndrojnë fare.

“Kjo nuk qëndron, kjo është fjalë e njerëzve që nuk e dinë, duhet të dihet materia, të shihen dokumentet çfarë ka në atë fushë, të shihet do të thotë letra e asaj fushe dhe nuk qëndron kjo fare. Kjo është fjala e fundit e fushës sintetike dhe aspak nuk është kancerogjene sepse nuk japin as UEFA as FIFA para që fushat të bëhen kancerogjene”, tha Ademi.

Ai shtoi se të gjitha fushat sintetike që janë në Kosovë të ndërtuara nga ana e FFK-së janë të licencuara nga FIFA me licencën FIFA-Pro.

“Të gjitha këto fusha janë bërë me FIFA-Pro dhe ato që e kanë licencës e FIFA-së, FIFA-Pro janë të dëshmuara dhe e dinë gjithçka që duhet pasur. Kjo nuk qëndron absolutisht dhe sa i përket fushave sintetike janë fjala e fundit që bëhet në një fushë sintetike. Tani, a është më e mirë fusha natyrale është krejtësisht e kuptueshme, por fushave tona, ose klimës sonë së Kosovës i duhen fushat sintetike, sidomos për stërvitje për kohën kur duhet ruajtur fusha për ndeshje. Ne këtë e kemi bërë me kërkesën dhe nuk është kjo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën dhe këta ta heqin atë fjalë që e thonë sepse nuk qëndron, as te, mjekët që kanë thënë është kancerogjene dhe as tek të tjerët që kanë thënë është fusha e dobët, cili do lojtarë që thotë. Kjo nuk qëndron absolutisht fare”, ka thënë në fund Ademi. /KosovaPress/

Read Previous

Humbja ndaj Galatasaray, flet Milot Rashica

Read Next

Përleshje fizike mes tre personave, njëri lëndohet nga arma e zjarrit