​54 mijë qytetarë të vaksinuar deri më sot në Kosovë

Në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë edhe sot ka vazhduar vaksinimi i të moshuarve mbi 65-vjeç dhe deri në mesditë u vaksinuan 150 qytetarë, ndërsa në nivel vendi mbi 1 mijë e 100 persona.

Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi tha se në nivel vendi nga koha kur ka nisur procesi i vaksinimit në Kosovë janë imunizuar 54 mijë qytetarë. Derisa pranon se ende ka qytetarë që hasin në vështirësi për regjistrim në “E-Kosova”, Bardhi thotë se procesi i vaksinimit po shkon mirë dhe pa telashe e pritje të gjata.

Bardhi: Deri sot në nivel vendi janë vaksinuar 54 mijë qytetarë

“Deri në këto qaste që në flasim në sallën “1 Tetori” kemi mbi 150 të vaksinuar, ndërsa në nivel vendi kemi mbi 1 mijë e 100 nëse i referohemi statistikave të përgjithshme nga fillimi tashmë i kemi 54 mijë qytetarë të vaksinuar në nivel vendi… Të gjithë qytetarët që kanë arritur të aplikojnë në ‘E-Kosova’ ata tashmë janë të telefonuar dhe kanë të konfirmuar edhe terminin e tyre dhe secili qytetar në çdo pesë minuta e dinë terminin e tij, kemi edhe nga ata që kanë ende vështirësi në aplikim e tyre, por përderisa një gjë e tillë po zbatohet jo vetëm te ne, por edhe në qytetet tjera po shihet se pjesa e pritjes është në kondita të normales”, tha Bardhi.

Habib Sejdiu bashkë me bashkëshorten e tij sot morën dozën e parë të vaksinës AstraZeneca. Sejdiu tha se nuk kanë hasur në asnjë telashe dhe se pasi janë regjistruar për vaksinim në adresën elektronike më pas janë ftuar përmes telefonit.

Sejdiu: Nuk kemi pasur asnjë telashe për vaksinim

“Mirë shumë… Kurrgjë, nuk kam pas telashe…kemi aplikuar kemi ardhur po djali është marr vesh unë e kam pasur në 11:30, zonja në 12:30 por erdhëm bashkë me djalin kurrfarë problemi”, theksoi ai.

77-vjeçarja Nazmie Berisha thotë se kishte pritur tash e sa kohë për ta thirrur për t’u vaksinuar, por meqenëse nuk është ftuar ajo vendosi që të vijë vetë dhe të vaksinohet.

Berisha tha se edhe përkundër frikës po ndjehet mirë pasi mori dozën e parë të vaksinës antiCOVID.

“Pak u frikësova, por jam shumë mirë… Kam aplikuar moti, por nuk më kanë thirr. Sot erdha dhe e mora… Pas dy muajve e gjysmë e kam marrë”, tha ajo.

Isak Maloku kishte telashe derisa e mori vaksinën, pasi nuk kishte mundësi të regjistrohej në “E-Kosova”, por përkundër vështirësive gëzohet që mori dozën e parë të vaksinës kundërCOVID-19.

Maloku: Kisha telashe derisa u vaksinova

“Jo hiq (nuk kam hezituar) nuk është e rëndë nuk është e vështirë e kemi për të shpëtuar jetën… Kemi pasur telashe jo ejani sot, jo nesër. Unë i kam djemtë jashtë. Ku të vijë ai nga Norvegjia për të ma caktuar terminin këtu? Erdha sot e bëra teminin dhe ishte fati, e mora”, tha Maloku.

Vaksinimi i grup-moshave mbi 65-vjeç ka nisur javën e kaluar pasi Kosova pranoi një sasi tjetër prej më shumë se 38 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga aleanca COVAX e OBSH-së. Rikujtojmë që Kosova ende nuk ka nënshkruar kontratë për të blerë vaksinat kundërCOVID-19.

Read Previous

Presidentja Osmani nderon kontributin e ushtarëve amerikanë

Read Next

Kurti: Kosovën dhe Malin e Zi i bashkon orientimi euro-atlantik