​Sfidë globale për të rregulluar dobësitë kritike të sigurisë kibernetike, mbyllen shumë faqe interneti

Qeveritë dhe kompanitë e mëdha, përfshirë Amazonin, po marrin masa për të mbrojtur sistemet e tyre pas zbulimit të dy dobësive kritike të sigurisë në PHP, gjuhë programimi që përdoret nga shumë faqe interneti, shkruan BBC.

Kompania e sigurisë kibernetike Wiz vlerëson se rreth 70 për qind e internetit mund të jetë e prekur, shifër të cilën BBC nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA) ka paralajmëruar organizatat që përdorin PHP të përditësojnë menjëherë sistemet e tyre, ndërsa nëse kjo nuk është e mundur, t’i nxjerrin ato jashtë funksionit deri në zgjidhjen e problemit.

Si masë paraprake, disa shtete evropiane kanë mbyllur përkohësisht shërbimet e tyre publike online, ndërsa Wikipedia ka çaktivizuar pjesë të faqes së saj. Finlanda i ka rikthyer shërbimet online, ndërsa një agjenci holandeze e sigurisë kibernetike është sërish funksionale.

Amazon ka konfirmuar se ka zbuluar një përpjekje të hakerëve për të shfrytëzuar dobësitë, por ka bërë të ditur se faqet e saj vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Wiz i ka cilësuar këto dobësi si më të rëndat e zbuluara ndonjëherë nga inteligjenca artificiale, ndërsa OpenAI i ka përshkruar si një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë së kohëve të fundit. Qeveria britanike ka njoftuar se po shqyrton ekspozimin e mundshëm ndaj këtyre rreziqeve. /KosovaPress/

Read Previous

“Do të jetë luftë”, ​ylli i Barcelonës paralajmëron Real Madridin

Read Next

Marta Kos: Shqipëria do përfitojë financiarisht nga Plani i Rritjes, reformat po përmbushen me sukses