Abdixhiku: Zgjedhjet janë të pashmangshme nëse s’ka marrëveshje
109 nxënës nga klasa e parë e deri në të nëntën dhe 883 të tjerë të shkollave të mesme kanë braktisur shkollimin gjatë vitit të kaluar. Kjo ka bërë që 1600 mësimdhënës të jenë më tepër sesa nevojiten në sistemin e arsimit.
Ministria e Arsimit do t’i rekomandojë komunave që të kenë kujdes me zëvendësimin e mësimdhënësve që dalin në pension, duke risistemuar ata që aktualisht janë të punësuar.
Janë rreth 400-500 mësimdhënës të cilët gjatë vitit pensionohen, për të cilët edhe njohësit e fushës së arsimit, thonë se zgjidhja më e duhur do të ishte risistemimi i atyre që janë të inkuadruar në sistemin arsimor.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për KosovaPress, se edhe vitin e kaluar ka pasur tepricë të mësimdhënësve, por siç thotë ai, për ta ruajtur këtë numër të mësimdhënësve duhet punuar me klasa të vogla.
Pupovci ka folur edhe për adresimin e këtij problemi, duke thënë se që nga viti i ardhshëm do t’i kërkojnë komunave që të mos t’i zëvendësojnë mësimdhënësit e pensionuar pa një analizë të mirëfilltë.
Ai thotë se nuk është e domosdoshme që mësimdhënësit që pensionohen gjatë vitit, të zëvendësohen me të rinj, pasi mund të bëhet riorganizimi i klasave.
Pupovci ka shtuar se sipas të gjitha projeksioneve të popullsisë, numri i nxënësve do të vazhdojë të zvogëlohet, dhe se mundësitë e punësimeve të reja në sistemimin e arsimit do të jenë të kufizuara.
Sipas tij, braktisja më e dëmshme është kur fëmijët braktisin shkollimin e detyruar. Ndërsa ka përmendur edhe arsyet e nxënësve që braktisin shkollën.
Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, ka thënë që asnjë mësimdhënës nuk duhet larguar nga puna. Ndërsa ka theksuar që duhet të rishikohen edhe kuotat e studentëve nga Fakulteti i Edukimit në universitetet publike në Kosovë, pasi që e njëjta shifër po vendoset çdo vit në treg.
Qehaja ka treguar edhe për praktikën e vendeve të tjera, duke thënë se nuk mund të hapet konkurs për pranim të mësimdhënësve qysh të donë DKA-ja.
Sipas tij, trendi i rënies së nxënësve nuk është shqetësues, por që duhet një reagim institucional./KP/