• 5 October, 2022

​Projektligji për tekstet shkollore brenda vitit miratohet në Kuvend

Qeveria e Kosovës deri në fund të vitit po synon që ta dërgojë në Kuvend për miratim projektligjin për tekstet shkollore. Konkurrimi i autorëve me tekstet e tyre dhe jo i shtëpive botuese do të jetë vetëm një nga ndryshimet që po proklamohet nga pozita.

Projektligjin për tekstet shkollore, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka paraparë edhe në agjendën legjislative për këtë vit, derisa njohës të fushës së arsimit po kërkojnë që ky projektligj të jetë prioritet i ekzekutivit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fitim Uka tregon se çka do të kenë prioritet gjatë hartimit të këtij projektligji

Sipas tij, për të pasur tekste cilësore duhet të konkurrojnë autorët e teksteve dhe jo shtëpitë botuese.

Uka që bënë pjesë edhe në Komisionin Parlamentar për Arsim, thotë për KosovaPress, se ajo çka ka ndodhur deri më tani është favorizim i skajshëm i shtëpive botuese.

Jo rrallë herë në tekstet shkollore janë gjetur gabime të shumta, madje është përdorur edhe gjuhë e urrejtjes.

Uka thotë se në tekstet e reja shkollore nuk do të lejojnë gabime të tilla, e për këtë shton se në projektligjin e ri për tekstet shkollore, duhet saktësuar kritere më të ashpra për vlerësimin e dorëshkrimeve.

Njohës të fushës së arsimi vlerësojnë synimet për të miratuar këtë projektligj brenda këtij viti, madje thonë se i njëjti duhet të jetë prioriteti numër një i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin EdGuard, thotë se shpreson që projektligji për tekstet shkollore të ridefinojë procesin e botimit dhe hartimit të teksteve.

Ai shton se ideja që për tekste shkollore të konkurrojnë autorët me dorëshkrimet e tyre e rrit konkurrencës dhe mund të jetë një motiv shtesë që të ketë tekste më cilësore.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve arsimore, Argjend Osmani, thotë për KosovaPress, se qeveria duhet të ketë parasysh që përmes projektligjit për tekstet shkollore të mundësohet konkurrenca e drejtë dhe jo të përfitojnë ata që janë të lidhur me politikën.

Ai thotë se tekstet shkollore duhet të kenë një përfshirje më të madhe të inovacionit.

Projektligji për Tekstet dhe Mjete Shkollore, Lektyrën Shkollore dhe Dokumentacioni Pedagogjik në Republikën e Kosovës, është pjesë e programit legjislativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Ndërsa, ligji që aktualisht është në fuqi ishte miratuar në vitin 2007./KosovaPress

Read Previous

Pulmologu kosovar parlajmëron një valë të re të COVID-19

Read Next

Brazili po shqyrton mundësinë e bojkotimit të Copa Americas