​Pasi mposhti Kosovën, Irlanda përballet me Kroacinë në playoff-in e Ligës së Kombeve

Përfaqësuesja e Irlandës do të përballet me Kroacinë në plejofin për ngjitje në Ligën A të Ligës së Kombeve, pas shortit të tërhequr të premten nga UEFA në Nyon të Zvicrës.

Irlandezët do ta zhvillojnë ndeshjen e parë si vendas, ndërsa sfida e kthimit do të luhet në Kroaci. Këto përballje janë paraparë të zhvillohen në mars të vitit 2027, ndërsa datat dhe oraret e sakta do të përcaktohen nga UEFA.

Irlanda e siguroi pjesëmarrjen në këtë plejof pas fitores bindëse 3:0 ndaj Kosovës në Dublin, në ndeshjen e fundit të Grupit B3. Me këtë triumf, përfaqësuesja irlandeze arriti në kuotën e tetë pikëve dhe e përfundoi grupin në pozitën e dytë, duke siguruar mundësinë për t’u ngjitur në elitën e futbollit evropian.

Në anën tjetër, Kosova, e cila e kishte nisur këtë grup me fitore 1:0 ndaj Irlandës në Prishtinë, nuk arriti ta ruante pozitën e dytë. Dardanët përfunduan në vendin e tretë me gjashtë pikë dhe do të mbeten në Ligën B.

Kështu, Irlanda tashmë ka përballë një kundërshtar me përvojë të madhe ndërkombëtare, Kroacinë, në përpjekje për të siguruar promovimin në Ligën A. /KosovaPress/

Read Previous

Airbnb vendos kufizime të reja për detyrat e pastrimit që u kërkohen mysafirëve

Read Next

Tre persona dënohen me nga 7 vjet burgim për trafikim të narkotikëve në Prishtinë, dy të tjerë lirohen nga akuza