​Osmani falënderon Trumpin për përkrahjen dhe fjalët e fuqishme për partneritetin me Kosovën

Dy ditë pasi bëri të ditur përmes Facebook-ut se kishte pranuar një letër falënderimi nga presidenti amerikan Donald Trump, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka publikuar zyrtarisht dokumentin.

Të enjten, po ashtu në Facebook, Osmani krahas publikimit të letrës e falënderoi Trumpin për përkrahjen dhe fjalët e fuqishme për Kosovën.

“Faleminderit Presidentit Trump për përkrahjen e tij, si dhe për fjalët e fuqishme për partneritetin me Kosovën.Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me SHBA-të, në çdo sfidë e çdo sukses. Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë.”, ka shkruar ajo.

Në letër, Trumpi shpreh mirënjohjen për gatishmërinë e Kosovës për të pranuar 50 emigrantë nga SHBA-ja.

Letra e plotë e Trumpit:

E nderuar Zonja Presidente,

Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ndihmën tuaj të jashtëzakonshme në pranimin e qytetarëve jashtë vendit tuaj – një veprim që dëshmon përkushtimin e fortë të Kosovës ndaj bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Udhëheqja juaj në këtë çështje është dëshmi e forcës dhe dhembshurisë së popullit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë të ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, vlerat demokratike të përbashkëta dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe të begatë. Përkushtimi juaj për forcimin e këtij partneriteti nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllime të përbashkëta.

Ju falënderoj sërish për udhëheqjen tuaj të guximshme dhe për qëndrimin tuaj si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara.

Me padurim pres të punoj ngushtë me ju në vitet që vijnë.

Zonja e Parë i bashkohet urimeve më të mira nga ana jonë. /Koha.net/

Letra e Trumpit për Osmanin

Read Previous

Korriku 2025, i treti më i nxehtë ndonjëherë në nivel global

Read Next

Greqia goditet nga tërmeti