​Mediat italiane vlerësojnë lartë Zhegrovën pas paraqitjes ndaj Cagliarit

Edon Zhegrova ka marrë vlerësime pozitive nga mediat italiane për paraqitjen e tij në ndeshjen mes Cagliarit dhe Juventusit, e cila përfundoi me rezultat 1:1 në kuadër të xhiros së gjashtë të Serie A.

Futbollisti kosovar e nisi ndeshjen nga banka rezervë, por u inkuadrua në fillim të pjesës së dytë, duke zëvendësuar portugezin Francisco Conceiçao. Me hyrjen e tij në lojë, Zhegrova i dha më shumë gjallëri repartit ofensiv të Juventusit dhe krijoi probleme për mbrojtjen vendase.

Mediumi italian CalcioMercato.it e vlerësoi Zhegrovën me notën 7, duke e përzgjedhur si lojtarin më të mirë të Juventusit në këtë takim. Sipas vlerësimit të mediumit italian, kosovari, së bashku me Kerim Alajbegovicin, i dha një impuls të ri skuadrës dhe e detyroi disa herë portierin Elia Caprile të ndërhynte.

Edhe e përditshmja sportive Tuttosport i kushtoi vëmendje paraqitjes së 27-vjeçarit, duke e përshkruar atë me termin “straripante”, që nënkupton një lojtar shpërthyes dhe me ndikim të madh në lojë.

Zhegrova ishte një nga futbollistët që e ndihmuan Juventusin të shtonte presionin në pjesën e dytë, pas një 45-minutëshi të parë ku skuadra e Luciano Spallettit pati vështirësi të krijonte raste të rrezikshme.

Cagliari kaloi në epërsi në minutën e 20-të me Daniele Maldinin, ndërsa Juventusi arriti të barazonte në minutën e 81-të përmes Randal Kolo Muanit, pas asistimit të Alajbegovicit. Pavarësisht rasteve të krijuara në fund, bardhezinjtë nuk arritën ta përmbysnin rezultatin.

Paraqitja e Zhegrovës është një tjetër sinjal pozitiv për futbollistin kosovar, i cili po synon të fitojë më shumë hapësirë në skuadrën italiane. Vlerësimet e mediave pas ndeshjes dëshmojnë se aftësia e tij për të sfiduar kundërshtarët në duele individuale dhe për të krijuar rrezik në fazën sulmuese mund të jetë një armë e rëndësishme për Juventusin. /KosovaPress/

Read Previous

24 orët e fundit në rajonin e Gjakovës: Dy raste të dhunës në familje, një i dyshuar në kërkim dhe një në mbajtje

Read Next

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit: Po vazhdojnë punimet për rehabilitimin në autostradën “Ibrahim Rugova”