Papa Leon flet me Putinin nga spitali, kërkon armëpushim për evakuim të civilëve
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar 53 kilogramë substancë të dyshuar si marihuanë, në kuadër të operacionit të koduar “MALI”. Sipas policisë, vlera e substancës së sekuestruar në tregun vendor është rreth 80 mijë euro.
Operacioni është realizuar dje rreth orës 21:40, pas hetimeve disamujore nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Sektori Qendror, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Sipas njoftimit, dy të dyshuarit po bënin përgatitje për transportimin e lëndëve narkotike jashtë vendit.
Gjatë operacionit janë kontrolluar dy shtëpi dhe objekte përcjellëse, ndërsa substanca e dyshuar narkotike është gjetur në bagazhin e njërës prej veturave. Përveç saj, policia ka sekuestruar edhe dy telefona mobilë dhe dy automjete me targa vendore.
Të arrestuarit janë B.A., i lindur më 1988, dhe S.H., i lindur më 1971. Pas intervistimit në praninë e avokatëve mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit, të dy janë ndaluar për 48 orë.
Ata dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Operacioni është mbështetur nga dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Gjilan dhe Njësia e Forenzikës Rajonale, e cila ka evidentuar dhe tërhequr provat nga vendi i ngjarjes. /KosovaPress/