Kanë diplomuar sot 448 policë të gjeneratës së 60-të të Policisë së Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se polica po shton dhe forcon radhët e saj duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.
Kurti potencoi se Policia e Kosovës këtë vit shënon 25 vjetorin e themelimit të saj, duke promovuar vlerat më të mira të shoqërisë tonë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla tha se policia e vendit tonë me profesionalizmin e tyre kanë arritur ta ngrisim këtë institucion si më të besueshmin për qytetarët e Kosovës.
Ai theksoi se shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Gazmend Hoxha tha se diplomimi i kësaj gjenerate tregon përkushtimin e tyre për të tejkaluar të gjitha sfidat për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
Ai potencoi se prioritet për Policinë e Kosovës është përmbushja e standardeve, përfaqësimi i të gjitha komuniteteve, diversitet etnik dhe ai gjinor.
Zëdhënësi i gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, Florian Shala u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përgjegjësive për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.
Ai u zotua se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimin që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës. /KosovaPress/