​Çmimet e ushqimeve po rriten në Evropë, ja shtetet ku shtrenjtimi është më i madh

Çmimet e produkteve ushqimore kanë nisur të rriten sërish në disa vende evropiane, ndërsa dallimet ndërmjet shteteve mbeten të theksuara.

Sipas një analize të Euronews Business, të publikuar më 5 nëntor, rritja e kostos së energjisë dhe transportit po ndikon në çmimet e produkteve ushqimore, veçanërisht të atyre të freskëta.

Të dhënat paraprake të Eurostatit tregojnë se inflacioni në Eurozonë arriti në 4% gjatë tetorit, niveli më i lartë në më shumë se 3 vjet.

Energjia ishte faktori kryesor i rritjes, me çmime 20.8% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën me 1.6% në Eurozonë, ndërsa produktet ushqimore të papërpunuara, përfshirë pemët, perimet, mishin dhe peshkun, u shtrenjtuan me 4.6%.

Cilat shtete kanë shtrenjtimin më të madh?

Sipas të dhënave të shtatorit, që janë më të fundit për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, Qiproja regjistroi rritjen më të madhe vjetore të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, me 4%.

Pas saj renditen Spanja me 2.7%, Rumania me 2.6%, Malta me 2.5% dhe Portugalia me 2.4%.

Jashtë Bashkimit Evropian, Turqia regjistroi rritje shumë më të lartë, prej 27.6% brenda një viti.

Në anën tjetër, në 14 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, ushqimet dhe pijet joalkoolike ishin më të lira sesa një vit më parë.

Rënia më e madhe u regjistrua në Suedi, me 6.3%, pas uljes së tatimit mbi vlerën e shtuar për ushqimet.

Italia dhe Franca përballen me shtrenjtimin e produkteve të freskëta

Në Itali, çmimet e produkteve ushqimore të papërpunuara u rritën me 7.5% në tetor, krahasuar me 5.5% në shtator.

Në Francë, ushqimet u shtrenjtuan mesatarisht me 1.2%, ndërsa produktet e freskëta kushtonin 8% më shumë se një vit më parë.

Gjermania regjistroi rritje më të ulët, prej 0.4%, ndërsa në Portugali produktet e papërpunuara u shtrenjtuan me 3.7%.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, rritja e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në prodhimin bujqësor, përpunimin dhe transportin e ushqimeve.

Ushqimet janë shtrenjtuar rreth 33% në BE brenda 5 vjetësh

Analiza tregon se nga shtatori i vitit 2021, çmimet e ushqimeve në Bashkimin Evropian janë rritur me rreth 33%.

Në Hungari, shtrenjtimi ka tejkaluar 50%, ndërsa rritje pak mbi këtë nivel janë regjistruar edhe në Bullgari, Estoni dhe Rumani.

Në Luksemburg, Suedi dhe Francë, rritja gjatë kësaj periudhe ka qenë afërsisht 25%.

Ekspertët paralajmërojnë se kostot e larta të energjisë mund të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi çmimet e produkteve ushqimore gjatë muajve të ardhshëm. /KosovaPress/

Read Previous

Kuvendi mblidhet sot, në rend dite disa projektligje

Read Next

Gjashtë vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, çka pritet në Apel?