​Bie numri i bizneseve në Kosovë, por rriten pagat dhe qarkullimi

Numri i ndërmarrjeve aktive në Kosovë ka rënë për 4% gjatë vitit 2025, ndërsa paga mesatare bruto ka arritur në 658 euro.

Kështu bëhet e ditur në rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve (ASN) për vitin 2025, të publikuara të martën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas raportit, në sektorët ekonomikë të përfshirë në hulumtim kanë operuar gjithsej 48 mijë e 506 ndërmarrje aktive, duke shënuar rënie prej 4% krahasuar me vitin 2024.

Pavarësisht zvogëlimit të numrit të bizneseve, qarkullimi i tyre është rritur për 6,1%, ndërsa shpenzimet kanë shënuar ngritje prej 6,6%.

Të dhënat tregojnë se paga mesatare bruto ka arritur në 658 euro gjatë vitit 2025, nga 354 euro sa ishte në vitin 2015.

Vetëm në krahasim me vitin 2024, paga mesatare në sektorët e përfshirë në anketë është rritur për 11,1%.

Pagat më të larta janë regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, ndërsa më të ulëtat në akomodim dhe shërbime ushqimore.

Sa i përket punësimit, gjatë vitit 2025 në ndërmarrjet e përfshira në hulumtim kanë qenë të angazhuar 294 mijë e 254 persona, që paraqet rritje prej 0,4% krahasuar me vitin paraprak.

Megjithatë, sektori i ndërtimtarisë ka regjistruar rënie të numrit të të punësuarve për 11,1%.

Tregtia vazhdon të dominojë ekonominë e Kosovës, duke përbërë 33,7% të ndërmarrjeve aktive dhe 32,4% të të punësuarve në sektorët e anketuar.

Ky sektor realizon gjithashtu rreth 51,7% të qarkullimit të ndërmarrjeve.

Pas tregtisë, për nga numri i bizneseve, renditen aktivitetet e shërbimeve të tjera me 22,1%, prodhimi me 14,6%, ndërtimtaria me 11,2% dhe akomodimi e shërbimet ushqimore me 10,3%.

Ndërkohë, rritja më e madhe e numrit të ndërmarrjeve është regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me 30,1%.

Në anën tjetër, qarkullimi më së shumti është rritur në aktivitetet e shërbimeve të tjera, me 13,9%.

ASK-ja sqaron se anketa nuk përfshin të gjithë sektorët e ekonomisë. Jashtë hulumtimit kanë mbetur bujqësia, pylltaria, peshkimi, financat, arsimi, shëndetësia, administrata publike dhe aktivitetet e ekonomive familjare. /KosovaPress/

anketa

Read Previous

“Praktikantë të përhershëm në premtime” – Zemaj godet Qeverinë 534 mjekë të papunë, 91 prej tyre specialistë

Read Next

​Telashe në mbrojtje, Dellova largohet nga grumbullimi me Kosovën