Granit Xhaka ka reaguar pas raportimeve të ditëve të fundit lidhur me një çështje nga e kaluara e tij, duke konfirmuar se gjatë pandemisë së COVID-19 kishte blerë një certifikatë vaksinimi.
Reagimi i tij vjen në kohën kur është raportuar se kapiteni i Zvicrës nuk do t’i bashkohet grumbullimit të kombëtares zvicerane në Belek të Turqisë, ndërsa në fokus të raportimeve të fundit është pikërisht çështja që lidhet me certifikatën e vaksinimit.
Xhaka ka pranuar se në atë kohë kishte pasur dyshime dhe pasiguri të mëdha rreth vaksinës kundër COVID-19.
“Në këtë gjendje të trazuar emocionale, bleva një konfirmim vaksinimi (certifikatë), në vend që t’u jepja përgjigje pyetjeve të mia të hapura përmes rrugës së paraparë”, ka shkruar Xhaka.
Mesfushori shqiptar ka pranuar se veprimi i tij ishte i gabuar dhe ka kërkuar falje për të.
“Sot e shoh qartë se kjo rrugë nuk ishte e drejtë. Ishte një gabim. Më vjen keq për këtë”, ka deklaruar ai.
Xhaka ka bërë të ditur gjithashtu se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë dhe të bashkëpunojë me autoritetet për zbardhjen e plotë të çështjes.
“Marr përgjegjësinë për këtë vendim, i nënshtrohem zbardhjes së kësaj çështjeje dhe bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente”, ka përfunduar Xhaka. /KosovaPress/