Volejbolli kosovar rikthehet në mesjavë me ndeshjet e radhës në Superligën A, si te vajzat, ashtu edhe te meshkujt, ku skuadrat synojnë rezultate pozitive në fillim të sezonit.
Te vajzat zhvillohet xhiroja e tretë, me katër përballje në program. Të mërkurën, Prishtina Elite përballet me Skenderajn, ndërsa të enjten zhvillohen tri ndeshjet e tjera: AAB Prishtina 75 – Drita, Gjinoci – Fer Volley dhe Fushë Kosova – KVF Ferizaj.
Ndërkohë, te meshkujt në program është xhiroja e dytë, me katër ndeshje që zhvillohen të mërkurën. Ferizaj takohet me Lubotenin, Ulpiana përballet me Forcën, Drita luan kundër Skënderbeut, ndërsa Peja e pret Golden Eagle Therandën.
Vëmendje të veçantë pritet të marrë dueli mes Pejës dhe Therandës. Pejanët e nisën sezonin me fitore ndaj Dritës, kurse Theranda triumfoi ndaj Lubotenit pas një ndeshjeje dramatike që u vendos në setin e pestë.
Me kampionatin ende në fazën e hershme, ndeshjet e mesjavës paraqesin mundësi të rëndësishme për skuadrat që synojnë të krijojnë vazhdimësi dhe të pozicionohen sa më mirë në tabelë. /KosovaPress/