“Spider-Man: Brand New Day” arkëton 500 milionë dollarë në vetëm 7 ditë
Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar të premten, me 86 vota për dhe 11 kundër, një paketë të ashpër sanksionesh ndaj Rusisë, e cila synon të godasë të ardhurat që Moska siguron nga eksportet dhe që përdoren për financimin e luftës në Ukrainë.
Legjislacioni dypartiak është rezultat i një fushate më shumë se njëvjeçare të senatorit Lindsey Graham, që vdiq ditë më parë, për të forcuar mbështetjen amerikane ndaj Ukrainës dhe për të shtuar presionin mbi presidentin rus, Vladimir Putin.
Paketa parashikon masa ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë, gaz dhe produkte të tjera ruse, me synimin që t’i kufizohen Moskës të ardhurat që ndihmojnë në financimin e luftës.
Miratimi vjen pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, vizitoi Capitolin (Kuvendin amerikan) disa orë pas funeralit të Grahamit, ku u takua me senatorë republikanë dhe demokratë. Ai ndoqi nga galeria edhe votimet e para procedurale për legjislacionin.
“Sot, presidenti Zelenskyy po na shikon nga Ukraina – dhe Putini po na shikon nga Moska”, ka deklaruar senatori demokrat Richard Blumenthal, i cili kishte punuar së bashku me Grahamin për hartimin e paketës.
“Do të doja të mendoja se edhe Lindsey Graham po na shikon. Sot i themi popullit të Ukrainës: Nuk jeni vetëm. Dhe sot i themi Vladimir Putinit: Nuk do ta pushtosh Ukrainën”, ka shtuar Blumenthal, raporton AP, transmeton KosovaPress.
Miratimi i paketës nga Senati përbën një prej veprimeve më të rëndësishme të Kongresit gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump në përpjekje për të ndikuar në rrjedhën e luftës në Ukrainë.
Ky i fundit ka dhënë mbështetje për paketën e sanksioneve, duke shtuar presionin që edhe Dhoma e Përfaqësuesve ta hedhë atë në votim, para se legjislacioni t’i dërgohet Shtëpisë së Bardhë për nënshkrim.
Paketa dypartiake që mban emrin e Grahamit i jep presidentit amerikan autoritetin për të vendosur tarifa ndaj pesë blerësve më të mëdhenj në botë të naftës ose gazit natyror rus, përfshirë Kinën dhe Indinë.
Përjashtime parashikohen për vendet që importojnë më pak se 15 për qind të gazit të tyre natyror nga Rusia dhe që po ndërmarrin hapa për reduktimin e mëtejshëm të këtyre importeve.
Legjislacioni përfshin gjithashtu sanksione ndaj Putinit, zyrtarëve të lartë politikë dhe ushtarakë rusë, institucioneve financiare dhe projekteve energjetike të Rusisë.
Masat do të zgjeronin sanksionet amerikane edhe ndaj cisternave të vjetra të naftës, të riregjistruara nën flamuj të tjerë, të cilat Rusia i përdor për të anashkaluar kufizimet ekzistuese ndaj eksporteve dhe të ardhurave të saj nga energjia.
Projektligji i negociuar përfshin edhe mundësinë që presidenti të heqë dorë nga zbatimi i sanksioneve ose kufizimeve të caktuara, nëse i dëshmon Kongresit se një veprim i tillë është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. /KosovaPress/