​Protesta gjithëpopullore, Jashari kërkon shfuqizimin e Speciales: Do të qëndrojmë këtu derisa të thirret seanca

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një nga përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin vendim për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara.

Gjatë protestës së të martës, kur edhe përfundon afati për zgjedhjen e presidentit, Jashari përsëriti se kërkesa e protestuesve është që në Kuvend të procedohet ligji për shfuqizimin e Speciales dhe të miratohet edhe në lexim të dytë.

Ai tha se protestat kanë qenë thirrje për bashkim dhe unifikim, ndërsa kërkoi nga deputetët që të marrin, siç u shpreh, “vendimin e duhur”.

“Që nga data kur u mor verdikti përfundimtar që solli një dënim të rëndë ndaj krerëve të UÇK-së, sheshet janë të mbushura me një kërkesë ‘Jo në emrin tim’, ‘Liri çlirimtarëve’ dhe kërkesa e të gjithë neve që sot jemi bashkë në të gjitha protestat ka qenë thirrje për bashkim, thirrje për unifikim dhe vendim në të drejtën tonë. E drejta jonë, e sidomos e institucioneve dhe deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, është që ta marrin vendimin e duhur. Dhe ai vendim, nga kërkesat e qytetarëve, popullit gjithandej, është që sot të vendoset, të sillet ligji dhe të kalojë edhe në leximin e dytë, pra, me një nen ku e shfuqizon Gjykatën Speciale”, tha ai.

Jashari kritikoi Dhomat e Specializuara, duke thënë se ato kanë goditur krerët e UÇK-së, luftën e saj, historinë e shqiptarëve dhe shtetësinë e Kosovës.

Ai foli edhe për zhvillimet gjatë protestës së një dite më parë, duke pretenduar se ka pasur të lënduar dhe veteranë të UÇK-së të shoqëruar në polici.

Jashari u bëri thirrje deputetëve dhe partive politike që të mos bëjnë, siç tha ai, kompromise në emër të UÇK-së.

“Këtë gjykatë e cila goditi krerët e UÇK-së me akuza të pabëra. Këtë gjykatë e cila goditi në luftën e lavdishme të UÇK-së. Këtë gjykatë e cila goditi në historinë e popullit dhe kombit shqiptar, e mbi të gjitha goditi në shtetësinë e Kosovës. Nga ky vend, ju bëj thirrje edhe Policisë së Kosovës dhe atyre të cilët japin urdhra që mos të teprojnë, sepse kemi informacione që kemi të lënduar një numër bukur të madh, kemi veteranë të cilët i kanë marrë sot në polici dhe kemi informacione që po shkojnë edhe në shtëpitë e tyre… Të zgjedhurve të popullit, deputetëve dhe faktorit politik ju bëjmë thirrje që të mos bëjnë kompromise në emër të UÇK-së… Do të qëndrojmë këtu derisa të thirret seanca dhe të merret ky veprim”, tha Jashari.

Ndërkaq, organizatori i iniciativës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, akuzoi pushtetin për siç tha ai, përdorim të dhunës ndaj protestuesve gjatë protestës së një dite më parë.

Ai tha se qytetarë, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të UÇK-së janë goditur nga policia, ndërsa disa protestues janë arrestuar.

“Dita e djeshme zbuloi fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, dje ra edhe perdja e fundit. Rinia e këtij vendi hodhi fishekzjarrë në shenjë proteste, por përgjigjja që e mori nga shteti ynë ishte shkopi i hekurt i pushtetit. Me urdhër të Albin Kurtit e Xhelal Sveçlës dje u gjakosën sheshet e Prishtinës. U rrahën qytetarët, u goditën familjarët e dëshmorëve, por, më e dhimbshmja, turpi më i rëndë, u rrahën pamëshirshëm veteranët e UÇK-së. U gjakosën luftëtarët e lirisë, dhe për çfarë e gjithë kjo, pse përfunduan njerëzit tanë në emergjencë mbrëmë, pse u arrestuan protestuesit tanë mbrëmë. Sepse dolën në këtë shesh dhe thanë UÇK. Sepse nuk pranuan të heshtin kur historia e tyre po vihej në pazar”, tha Haziri. /KosovaPress/

Read Previous

Raporti i CIA-s: Izraeli drejt luftës civile dhe kolapsit të brendshëm

Read Next

Komandanti i FSK-së priti në takim komandantin e KFOR-it