​GLPS: Kosovës nuk i mjafton ambicia politike, duhen reforma konkrete për integrim në BE

Kriza politike dhe vonesat në zbatimin e reformave evropiane i kanë kushtuar vendit me humbje të performancës në sundimin e ligjit, administratën publike dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa Kosova mund të ketë humbur mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si pasojë e vonesave në zbatimin e reformave.

Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas bllokadës politike: Nga momentumi në reforma”, ku u diskutua për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe perspektivën evropiane të vendit.

Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se bllokadat politike për më shumë se dy vjet kanë pasur kosto të konsiderueshme për vendin, jo vetëm në kohë, por edhe në performancën institucionale dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Sipas saj, vlerësimet e Qeverisë tregojnë se Kosova mund të ketë humbur mbi 40 milionë euro nga përfitimet e mundshme të Planit të Rritjes, megjithëse për këtë duhet pritur edhe vlerësimi i Bashkimit Evropian.

“Bllokadat që janë më shumë se përafërsisht dy vite, ka bërë që të ketë mungesë performance, dhe na ka kushtuar shumë. Jo vetëm në kohë, por edhe në mungesë performance në sundim të ligjit, në administratë publike, në zhvillim ekonomik, dhe në përmirësim të jetës së qytetarëve. Kjo është pjesë më e madhe në implementimin e agjendës së reformave për Kosovën, por edhe nga një vlerësim i qeverisë thuhet se përmasat që kanë qenë deri në qershor mund të jenë humbur mbi 40 milionë euro. Natyrisht, për këtë duhet pritur edhe vlerësimin e Bashkimit Europian. Tani, kemi shumë pak kohë deri në fund të dhjetorit, për të implementuar edhe 27 masa të tjera të cilave ju kalon afati përfundimisht në 31 dhjetor të këtij viti, dhe gjithë plani i rritjes, apo agjendës së reformave, deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm. Pra, koha nuk është në anën tonë, në njërën anë kemi urgjencë për të implementuar hapa reformues, kurse në anën tjetër mbetet po aq e rëndësishme që këto reforma të mbesin cilësore, dhe të mos implementohen veç sa për të qenë pjesë e agjendës së reformave”, tha Arifi.

Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Arifi vlerësoi se vendi duhet të përgatitet jo vetëm për anëtarësim të mundshëm në BE, por edhe për mundësitë e pjesëmarrjes më të hershme në politikat dhe mekanizmat evropianë, përfshirë format e integrimit gradual.

“Në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme të diskutohet edhe mbi perspektivën evropiane të Kosovës, e veçanërisht tani është shumë e rëndësishme për shkak se po diskutohen edhe forma të reja të zgjerimit, përfshirë edhe integrimin gradual. Kosova duhet të përgatitet jo vetëm për një anëtarësim të mundshëm në të ardhmen, por edhe për mundësitë e pjesëmarrjes më të hershme në politikat dhe mekanizmat evropianë. Për këtë, na duhen rezultate, nuk mjafton që të jemi vetëm populli më pro-evropian në Ballkan, por nuk mjafton as vetëm ambicia deklarative politike, por duhet të ketë edhe reforma të prekshme të cilat implementohen. Në anën tjetër, natyrisht BE duhet të ofrojë një perspektivë për Kosovën”, tha Arifi.

Ndërkaq, autori i raportit dhe hulumtuesi i GLPS-së, Besar Gërgi, gjatë prezantimit të përditësimit të Agjendës së Reformave për semestrin e tretë, bëri të ditur se, sipas raportimit të Qeverisë, janë zbatuar 18 nga 62 reforma të parapara deri më tani.

“Qeveria ka raportuar se janë përmbushur 7 nga 13 hapa reformues që e kanë pasur afatin përfundimtar qershor 2026. Pra, kanë qenë të semestrit të dytë, qershor 2025, e kanë pasur 1 vit periudhë tolerimi deri në qershor të vitit 2026, dhe këtu flasim për një, le të themi, shkallë zbatimi pak më shumë se 50 pwr qind. Ndërkohë, ka dalur edhe raporti i parë zyrtar i qeverisë, është i publikuar në web-faqen e Zyrës së Kryeministrit, ku thuhet se nga 62 reforma në total sa kanë qenë deri tash, janë zbatuar 18, që do të thotë diku një shkallë zbatimi prej rreth 29 pwr qind. Pra, nëse flasim në përqindje, shkalla e zbatimit nuk është më e larta e mundshme. Kur flasim në aspektin financiar, Kosova mund të përfitojë deri në 883 milionë euro nga plani i rritjes, deri më tani ka përfituar vetëm nga parafinancimi prej 7 pwr qind”, tha Gërgi.

Ai bëri të ditur se një nga pengesat kryesore për procesin ka qenë mosratifikimi i marrëveshjeve, që kishte pamundësuar raportimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës te Komisioni Evropian.

“Dhe problemi më i madh këtu ka qenë mosratifikimi i marrëveshjeve, që e pamundësonte raportimin zyrtar të qeverisë së Kosovës te Komisioni Evropian, raporti i parë zyrtar është dorëzuar më 15 korrik, tashmë jemi në pritje të vlerësimit të Komisionit Evropian, dhe vetëm kur del ky vlerësim do të kemi një pasqyrë të saktë dhe të plotë se çfarë është zbatuar dhe çfarë jo. Por po ashtu vlen të ceket se në qershor u përmbyll edhe afati i katërt nga 7 në total, pra janë 7 semestra të agjendës së reformave, në fund të vitit do ta përmbyllim edhe semestrin e pestë, dhe i gjithë instrumenti për rritje përfundon në shtator të vitit të ardhshëm”, tha ai.

Hulumtuesi i GLPS-së theksoi se Kosova nuk ka më një vit të plotë në dispozicion për zbatimin e reformave, duke vlerësuar se ngecjet e deritanishme shpjegohen në masë të madhe nga kriza politike.

“Pra, sa i përket zbatimit, duhet të kemi parasysh se nuk kemi asnjë vit të plotë përpara nesh. Folëm pak a shumë për një shkallë të ulët zbatimi dhe ngecje të shumta, dhe kjo padyshim shpjegohet në masë të madhe për shkak të krizës politike. Nëse flasim në disa data, pra më 11 shkurt u konstitua Kuvendi dhe u formua qeveria, vetëm dy ditë më pas janë ratifikuar dy marrëveshje, pra ajo e facilitetit dhe huamarrjes, dhe më 19 mars është emëruar koordinatori kombëtar”, tha ai. /KosovaPress/

Read Previous

Çitaku kërkon llogaridhënie dhe dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Read Next

​Zulfaj: Asnjë reformë nuk do të mbetet prapa, Kosova synon përfitimin e 882 milionë eurove nga BE-ja