‘Zgjoi’ merr mbështetje nga kineastet amerikanë për në ‘OSCARS 2022’

Rrugëtimi i filmit ‘Zgjoi” për në OSCAR do të ketë mbështetjen e aktores holivudiane Elisabeth Moss dhe producentes Lindsey McManus.

Të dyja këto kineaste amerikane i janë bashkuar ekipit të filmit në cilësinë e producenteve ekzekutive.

Përmes një deklarate të përbashkët, transmetuar nga ‘Deadline’, Moss dhe McManus thanë se filmi “Zgjoi” është një histori prekëse me dëshirën për mbijetesë dhe fuqizim përmes një vizioni të guximshëm.

“Tregimi i fuqishëm i Blertës kap me mjeshtëri vetëvendosjen e individëve në të gjithë botën për të kapërcyer vështirësitë”, citohet të kenë thënë Moss dhe McManus.

Filmi Zgjoi tregon historinë e Fahrijes, një grua burri i të cilës është zhdukur që nga lufta në Kosovë. Ajo nis një biznes të vogël bujqësor për të siguruar mbijetesën për familjen e saj në një mjedis tradicional patriarkal, ku ambicia e saj për fuqizimin nuk shihet si një gjë pozitive.

Filmi ka shënuar suksese në arenën ndërkombëtare duke marrë disa çmime me rëndësi. Në fillim të 2021, “Zgjoi” rrëmbeu tri çmimet kryesore në ‘Sundance Film Festival”.

“Zgjoi” do të përfaqësojë Kosovën në garën për çmimet “OSCARS 2022”.

Read Previous

BE-ja e mbështet projektligjin për Financimin e Partive Politike në Kosovë

Read Next

Lokacionet e Qendrave të Vaksinimit për Covid-19