Zgjerimi i rrugës Pejë-Prishtinë, Qeveria ndan buxhet shtesë për këtë projekt

Në mbledhjen e 103-të të Qeverisë së Kosovës u bë e ditur se kanë shtuar buxhet për nisjen e zgjerimit të rrugës Prishtinë-Pejë dhe ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në këtë mbledhje theksoi se viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm për sa u përket të hyrave dhe rritjes ekonomike.

“Ky vit, me gjithë sfidat dhe krizat globale, vazhdoi trendin pozitiv, dhe na mundësoi të kemi një konsolidim të financave publike. Kjo na vendos në një trajektore të mirë edhe për vitin e ardhshëm fiskal, dhe si rezultat kemi një projeksion mjaft pozitiv nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit të vendit më tej theksoi se kanë shtuar buxhet për nisjen e zgjerimit të rrugës Prishtinë-Pejë, edhe ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.

“Kemi buxhetuar përfundimin e rrugëve që tashmë janë në proces që sa vite, si dhe kemi shtuar edhe buxhet për nisjen e zgjerimit të rrugës Prishtinë-Pejë, edhe ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë”, tha ai.

Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro. Kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë “Paga dhe Mëditje”, 493 milionë euro në kategorinë “Mallra dhe Shërbime”, 1 miliard e 98 milionë euro në “Subvencione dhe Transfere” dhe 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”.

Ndryshe që disa vite flitet për ndërtimin e rrugës Pejë-Prishtinë, projekt ky që ka mbetur në gjysmë dhe ende nuk ka përfunduar.

Në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e kësaj autostrade.

Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Liburn Aliu në tetor të 2021 kishte thënë se autostrada Prishtinë-Pejë do të vazhdojë, por se do të ndalen keqpërdorimet rreth shpronësimeve në këtë projekt.

Ai me anë të një shkrimi në Facebook, kishte thënë se është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim.

“Projekti i autostradës për Pejë nuk ndalet. Ndalet vetëm hajnia dhe keqpërdorimet e parasë publike në shpronësim. Pra, është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim. Nuk është ndaluar projekti. Po ashtu, në vitin që vjen, është përfshirë në buxhet hartimi i projektit për modernizimin e hekurudhës, Pejë – Prishtinë dhe Klinë – Prizren. Rruga Prizren-Tetovë nuk është konkurente e rrugës Prishtinë-Pejë”, kishte shkruar Aliu, përcjell Telegrafi. /Telegrafi/

Read Previous

Fillon funksionalizmi i Odës Ekonomike të përbashkët Kosovë-Shqipëri

Read Next

Treni më i gjatë në botë në alpet zvicerane