Zgjedhjet serbe, Hovenier: Kosova i përcakton vetë kushtet për votimet e shteteve tjera brenda territorit të saj

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës s’kanë ndryshuar qëndrim lidhur me çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Hovenier ka thënë se ndonëse kjo është ngritur si çështje për herë të parë në vitin 2022, Kosova ka të drejtë që si shtet i pavarur dhe sovran, t’i caktojë vetë kushtet për zgjedhjet e shteteve tjera që mbahen në territorin e saj.

Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar që kur kjo çështje u ngrit për herë të parë në vitin 2022. Ne vazhdojmë të shprehim zhgënjimin tonë që Qeveria e Kosovës zgjodhi të mos vazhdojë praktikën e kahershme të lejimit të OSBE-së që të mbledhë fletëvotimet e votuesve serbë me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas ambasadorit Hovenier, SHBA-ja beson fuqishëm se votuesit me të drejtë vote në të gjitha vendet duhet të jenë plotësisht në gjendje të marrin pjesë në proceset demokratike.

Pra, si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet me të cilat mbahen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”, ka thënë më tej Hovenier për klanin.

Ndryshe, përfaqësuesit e forcave opozitare nga Serbia, dy javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në atë vend, e intensifikuan fushatën e tyre në Kosovë.

Dhjetë kandidatë për deputetë në Kuvendin e Serbisë nga lista “Serbia kundër dhunës” vizituan më 4 dhjetor Graçanicën – njërën nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë – ku, siç thanë, u është dashur të bisedojnë me banorët vendas. Prej atje, ata shkuan në Mitrovicën e Veriut – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Lista Serbe u përgjigj duke thënë se Alleksiq dhe kandidatët e tjerë për deputetë të listës “Serbia kundër dhunës” janë duke shkaktuar “përçarje mes serbëve në këto zona”.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila u formua në vitin 2013 me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila u udhëhoq nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deri në maj të këtij viti.

Edhe pse zyrtarisht nuk është në krye të saj, Vuçiq është duke e udhëhequr aktivisht fushatën e SNS-së për zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

SNS-ja mori pushtetin në Serbi në vitin 2012 dhe, deri më tani, kishte mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës në zgjedhje.

Më 17 dhjetor, serbët nga Kosova do të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës në qytetet e Serbisë, për shkak se Qeveria e Kosovës nuk lejoi hapjen e vendvotimeve në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Ambasadori i Shqipërisë takohet me deputetët e Kuvendit të Kosovës

Read Next

Thaçi, Veseli e Selimi s’kanë komunikuar me familjarët që nga e diela, ankohet mbrojtja