Zgjedhja e Bashës, Kica-Xhelili: Një tragjikomedi me pasoja për shtetin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar me tone kritike ndaj zgjedhjes së deputetit të Vetëvendosjes, Dimal Basha, në krye të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kica-Xhelili ka theksuar se ndonëse qëndrimi në anën e drejtë të historisë mbetet thelbësor, ai nuk e zbut dhimbjen që shkakton papërgjegjësia politike e kundërshtarëve.

 “Fakti që qëndron në anën e drejtë të historisë, nuk e bën më pak të dhimbshme papërgjegjësinë me të cilën tjetri i qaset shtetit,” ka shkruar ajo.

Deputetja e LDK-së ka shtuar se, ndonëse politikanët vijnë e shkojnë, janë veprimet e tyre që lënë gjurmë të pashlyeshme në institucionet e shtetit:

 “Fundja, ne shkojmë e vijmë, por shtetit i mbetet njolla e atyre që me pompozitet e ulin skenën politike në tragjikomedi.”

Reagimi i saj vjen në vazhdën e një vargu kritikash nga përfaqësues të opozitës, të cilët e kanë cilësuar emërimin e Dimal Bashës si një pasqyrim të degradimit të institucioneve dhe mungesës së seriozitetit në qeverisje. Për LDK-në dhe pjesë të tjera të spektrit opozitar, zgjedhja e Bashës shihet si simbolikë e rënies së standardeve politike në Kosovë. /GazetaSinjali/

Read Previous

Cila është procedura për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit?

Read Next

KF “Vëllaznimi” pret “Istogun” në ndeshjen e tretë të Ligës së Parë, synon fitoren e tretë radhazi