Zëdhënësi i Qeverisë: Palët u pajtuan në atë që Kosova insistoi që nga takimet e së hënës

Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se marrëveshja e arritur të mërkurën në Bruksel është në harmoni me kërkesat e ditës së hënë që ka pasur Kosova.

Kryeziu ka thënë se palët janë pajtuar që plotësisht të koncentrohen dhe angazhohen në propozimin e njohur si Franko-Gjerman drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

“Me marrëveshjen e sontshme palët janë pajtuar që plotësisht të koncentrohen dhe angazhohen në propozimin e njohur si Franko-Gjerman drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Ky ishte edhe insistimi i Kosovës në takimet e të hënës. Tash e tutje flasim për marrëveshje”, ka shkruar Kryeziu duke ia bashkangjitur edhe një prononcim të Kurtit.

Ndryshe, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të mërkurën se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje lidhur me targat në bisedimet ndërmjet kryenegociatorëve të të dy vendeve.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, me lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, ka shkruar Borrell.

/Telegrafi/

Read Previous

SHBA-të e mirëpresin marrëveshjen Kosovë – Serbi për targat

Read Next

​Kuvendi i Kosovës sot mban dy seanca plenare