Xabi Alonso: Donim fitoren dhe t’i afroheshim Bayern, kampionati nuk ka përfunduar ende

Bayer Leverkusen u përpoq në mënyrë të përsëritur dhe deri në fund me gjithë energjinë e tij të copëtonte murin e ngritur nga Bayern Munich, por ndeshja e madhe mes dy skuadrave që kryesojnë në Bundesliga u mbyll në barazim pa gola.

Për bavarezët një rezultat i mirë në fushën e skuadrës kampione, që falë kësaj pike mbrojtën vendin e parë, por edhe avantazhin prej 8 pikësh. “I gjithë ekipi luajti në një nivel shumë të lartë. Të luash kundër këtij Bayern nuk është e lehtë”, tha Xabi Alonso, trajneri i Leverkusen.

“Ata janë shumë të fortë këtë sezon dhe normalisht shkatërrojnë të gjithë kundërshtarët e tyre. Ne luajtëm shumë mirë si në momentet kur kishim topin nën kontroll por edhe kur nuk e kishim, duke krijuar shumë raste shënimi”, shtoi trajneri spanjoll.

Më tej, Alonso komentoi: “Ushtruam presion. Intensiteti dhe përqendrimi ishin të mira. Bëmë pothuajse gjithçka për të fituar, por goli nuk erdhi. Mund të ndodhë. Renditja na penalizon, por ndjesia në stadium është pozitive”.

Duke folur për renditjen, ai tha: “Jemi 8 pikë pas Bayern. E dimë se avantazhi është i madh, ndaj donim fitoren ndaj tyre dhe të afroheshim në pesë pikë, por nuk ishte dita e duhur. Në të kaluarën kemi pasur barazime shumë zhgënjyese, ndaj mund të ndodhë një barazim kundër këtij Bayern”.

“Kishim nevojë për një paraqitje perfekte dhe pothuajse e arritëm këtë. Patëm raste, por nuk është e lehtë të shënosh kundër Bayern. Ata ushtrojnë presion, luajnë dhe dominojnë me autoritet të madh. Ne bëmë të njëjtën gjë, por në fund nuk mjaftoi. Është një performancë mbi të cilën mund të ndërtojmë shumë gjëra pozitive, pasi sezoni nuk ka mbaruar”, tha Xabi Alonso. /Telesport.al/

Read Previous

​Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në vizitë dy ditore në Kosovë

Read Next

Holanda uron Kosovën me rastin e Ditës së Pavarësisë