AI hyn fuqishëm në Hollywood, Netflix e përdor në qindra filma
Një ndër pasuritë më të çmuara të turizmit shqiptar, cilësia e ujërave të plazheve, po shfaq shenja alarmante përkeqësimi.
Të dhënat zyrtare nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) për vitin 2024, tregojnë se vetëm 19 nga 119 plazhe të monitoruara në Shqipëri klasifikohen me cilësi “të shkëlqyer”, një rënie dramatike krahasuar me vitin 2020, kur kjo shifër ishte 91, ka mësuar Albanian Post.
Në vend të plazheve me ujëra të kristalta që promovohen shpesh në fushatat turistike, sezonin e kaluar veror pushuesit u përballën me realitetin e 27 plazheve të klasifikuara me cilësi “të dobët”, ndërsa 14 të tjera në nivelin minimal “të mjaftueshëm”.
Vetëm 59 zona janë cilësuar me cilësi “të mirë”.
Rënia më e ndjeshme është regjistruar në qytetet më të frekuentuara bregdetare.
Saranda, dikur simbol i turizmit elitar, ka humbur çdo status pozitiv: të katër plazhet e monitoruara në qytet janë klasifikuar si “të dobëta”, ndërsa edhe dy plazhet më pranë Portit të Limionit, që në vitet e kaluara gëzonin cilësi ekselente, tashmë renditen si me cilësi “të mirë”.
Në Ksamil, nga tre plazhe që dikur ishin “të shkëlqyera”, sot vetëm një e ruan këtë status.
Në Vlorë, situata është po aq shqetësuese. Të gjitha plazhet brenda qytetit janë të kategorizuara me cilësi të keqe, përjashto vetëm Zvërnecin, ku uji rezulton i “mirë” dhe “i mjaftueshëm”.
Në kontrast, zonat përreth saj si Radhima, Orikumi dhe segmenti Jalë-Dhërmi-Palasë vazhdojnë të ruajnë një cilësi shumë të lartë të ujit të larjes, me përjashtime të vogla në Dhërmi.
Himara, që vit pas viti ka fituar më shumë popullaritet, ka raportuar një situatë të përzierë: nga katër plazhe të raportuara, vetëm një ruan cilësinë “ekselente”, dy janë “të mira” dhe një tjetër vetëm “e mjaftueshme”.
Ndërkohë, Borshi dhe Qeparoi, që më parë kishin statusin “ekselent”, tashmë rezultojnë si “të mirë”.
Në pjesën veriore të vendit, situata paraqitet më e qëndrueshme.
Gjiri i Lalëzit, Shëngjini, Tale dhe Velipoja ruajnë përgjithësisht një cilësi të mirë të ujërave, ndërsa Durrësi, Spilleja, Divjaka dhe Seman-Darzeza kanë një përzierje rezultatesh, ku cilësia “e mirë” dhe “e mjaftueshme” dominojnë.
Sipas ekspertit të EEA-s për cilësinë e ujërave të larjes, i kontaktuar nga Albanian Post, agjencia evropiane nuk ka të dhëna për arsyet konkrete që kanë çuar në këtë përkeqësim, por ai thekson se ndotja fekale, mungesa e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve mbeten faktorët më të zakonshëm në të gjithë Evropën.
Në Shqipëri, kjo situatë ka gjasa të lidhet me shtimin e urbanizimit pa infrastrukturë të duhur, sidomos në zonat turistike.
“Monitorimi dhe menaxhimi sistematik i ujërave të ndotura dhe investimet në impiantet e trajtimit janë çelësi për përmirësimin e cilësisë së ujit. Në Evropë këto masa kanë treguar sukses të madh. Pa ndërhyrje të ngjashme, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruhet një standard i pranueshëm për pushuesit në Shqipëri”, shprehet eksperti./Albanianpost.com

