Qyteti italian i Venecias pritet ta miratojë një tarifë ditore prej 5 euro për vizitorët, si përpjekje për të kontrolluar turizmin.
Të gjithë vizitorët mbi 14 vjeç do të duhet të paguajnë tarifën dhe të rezervojnë paraprakisht hyrjen e tyre në qytet. Anëtari i këshillit bashkiak për turizmin Simone Venturini tha se testi do të zhvillohet gjatë periudhave turistike vitin e ardhshëm.
“Venecia është ndër qytetet evropiane më të vizituara, e si pasojë vuan shumë nga turizmi i tepërt” tha ai.
Mbiturizmi njihet si një çështje urgjente për Venedikun. Qyteti është i vogël, 7.6 km katror në madhësi, por ai priti pothuajse 13 milionë turistë në vitin 2019, sipas institutit kombëtar italian të statistikave. Numri i vizitorëve pritet të tejkalojë nivelet para pandemisë në vitet e ardhshme.
Në fillim të këtij viti, UNESCO tha se qyteti duhet të shtohet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik, pasi ndikimi i ndryshimit të klimës dhe turizmit masiv kërcënojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme.
Në vitin 2021, anijet e mëdha të lundrimit u ndaluan të hynin në qendrën historike të Venecias përmes kanalit Giudecca pasi një anije u përplas në një port. Kritikët kishin argumentuar gjithashtu se anijet po shkaktonin ndotje dhe po gërryenin themelet e qytetit, i cili vuan nga përmbytjet e rregullta. Megjithatë, nuk është e qartë nëse plani për të vendosur një tarifë ditore do të pengojë turistët.
/Klankosova.tv/.